Për Ahmet Ismailin nga fshati Sellarcë i Komunës së Bogovinës, toka nuk ishte thjesht pronë, por një investim jetësor. Për vite me radhë, ai punoi në këtë parcelë me një kontratë koncesioni 30-vjeçare, duke mbjellë pemë dhe duke investuar djersë e mjete financiare. Mirëpo, sot Ahmeti nuk mund t’i vjelë as frutat e punës së tij e as të marrë paratë që i takojnë me ligj. Me nisjen e punimeve për projektin strategjik të Korridorit 8, toka që Ahmeti shfrytëzonte u shpronësua dhe kontrata e tij u ndërpre para kohe. Megjithëse pemët janë ende aty, ai e ka të ndaluar t’i shfrytëzojë. Sipas ligjit, çdo investim në tokë shtetërore që merret për interes publik duhet të dëmshpërblehet. Për Ahmetin, kjo procedurë ka përfunduar në letër: vlerësimi është bërë dhe kompania “Bechtel & Enka” thuhet se i ka kaluar mjetet në llogarinë e Ministrisë së Bujqësisë.
“Para një viti na është prishur kontrata, shkaku i ndërtimit të autostradës, firma Bechtel & Enka që e ka marrë punimet, edhe është prishur kontrata dhe është marrë për nevojat e autostradës. Edhe brenda kontratës që është prurë vendimi se duhet pemtaria t’i dëmshpërblehet. Vlerësimi u bë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, dëmet janë vlerësuar. Pagesa u bë në Ministrinë e Bujqësisë, paratë qëndrojnë në Ministrinë e Bujqësisë. Mirëpo, kaloi një vit, të hollat nuk na lëshohen neve që të ngremë sipërfaqe të reja të pemtarisë. Shkaku se pse nuk lëshohen paratë është se kanë ndërhyrë në ligj, në ligjin e tokave bujqësore. Kanë bërë një ndërhyrje dhe tash ligji bie në kundërshtim me vetveten, që nuk kanë të drejtë t’i lëshojnë ato të holla personave të dëmtuar”, theksoi Ahmet Ismaili – pemtar.
Ahmeti thotë se as Qeveria dhe as Ministria nuk po marrin masa, ndërsa ai nuk mund të investojë në ndonjë vend tjetër për shkak të mungesës së mjeteve financiare që duhet t’i marrë nga dëmshpërblimi.
“Ne e kemi këtë biznes familjar. Me shkatërrimin e kësaj plantazheje këtu që e shihni, ne kishim ndërmend me ato para të ngremë një plantazh tjetër, mirëpo nuk kemi mundësi. Ne kemi filluar dhe nuk mund të vazhdojmë për shkak të mjeteve që duhet të na lëshohen. Me këtë problem nuk u ndesha vetëm unë, por edhe një numër i madh njerëzish të tjerë. Nuk zgjidhet problemi, nuk ndërhyjnë, nuk marrin masa Qeveria. Ministria e Bujqësisë nuk merr masa, Qeveria nuk ndërmerr asnjë aktivitet për ta zgjidhur këtë problem”, tha Ahmet Ismaili – pemtar.
Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, thotë se për herë të parë dëgjon që një bujku nuk i është dëmshpërblyer investimi. Edhe për ministrin, pagesa duhet të bëhet pasi kjo është e rregulluar me ligj.
“Nëse e kuptova mirë, pyetja është për investimin që kanë pasur në atë tokë dhe dëmshpërblimin që duhet të ndodhë. Shikoni, në raste të tilla bëhet vlerësimi i asaj që është investuar në vetë tokën, në mënyrë që të mund të bëhet dëmshpërblimi i atij që e ka përdorur, respektivisht e ka marrë tokën. Unë për herë të parë po dëgjoj se ka ndonjë problem në pjesën e dëmshpërblimit, megjithatë duhet të verifikohet nëse ka ndonjë problem tjetër, ndoshta juridik, që kjo të realizohet. Mirëpo, ajo që është sipas ligjit: çdokush që i ndërpritet kontrata dhe ka pasur investime, duhet të dëmshpërblehet sipas vlerësimit të ekspertëve që bëhet për atë tokë bujqësore”, u shpreh Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Rasti i Ahmet Ismailit duket se është vetëm maja e ajsbergut të një krize më të gjerë që po prek fermerët në të gjithë vendin. Ahmeti tha se në të njëjtën gjendje janë edhe dhjetëra pronarë tokash përgjatë Korridorit 10D. Edhe atje, skenari përsëritet: kontratat shkëputen, vlerësimet kryhen, por mjetet financiare mbeten të bllokuara në labirintet administrative të Ministrisë së Bujqësisë për shkak të ngatërresave ligjore.
