Portrete që reflektojnë realitete me antagonizma shpirtërore – janë punimet e ekspozuara nga piktori tetovar Agron Abduli në Galerinë “Çifte “Hamam” në Shkup. Piktori Abduli thotë se në ekspozitë janë të shfaqura portrete të punuara gjatë këtij viti, por një pjesë e tyre janë pikturuar edhe disa vite më parë.
“Zakonisht, me temë që disa vite që merrem, mund të them prej nga viti 2004. Portretin si temë e kam pasur edhe si temë e magjistraturës, ku magjistrova ne vitin 2012. Mandej kam vazhduar forma të ndryshme të shprehjes, pavarësisht, kam bërë një vazhdimësi deri sot”, thotë Abduli.
Kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativ në Maqedoni, Reshat Ameti, vlerëson se kjo ekspozitë është me cilësi të lartë artistike dhe se piktori Agron Abduli, nëpërmjet portreteve të ekspozuara, pasqyron kategoritë emocionale të të gjitha gjendjeve shpirtërore. “Është një ekspozitë me cilësi të lartë artistike. Profesori Agron është serioz në punën e vet. Këtë seriozitet e ka treguar edhe ne punën e sotme. Asnjë problem artistik nuk i shkon në mënyrë të lehtë, por me qasje serioze. Natyrisht, rezultati do shihet. Është artist qe i takon moshës relativisht të re, por me të është mishëruar në botën artit figurativ në Maqedoni, Sot është ekspozita me temën portret. Portreti është motiv antologjik në artin figurativ. Agroni përpiqet të japë vulën e tij në këtë drejtim, është origjinal, mund të shihet nga koloritet, ai në mënyrë mjeshtërore ka pikturuar”, vlerëson Ameti.
Artdashësit që dëshirojnë ta vizitojnë ekspozitën e Agron Abdulit, do të mund ta bëjnë këtë në galerinë Çifte Hamam në Çarshinë e Shkupit deri me 24 tetorë.
Refit Refiti
