Kufizimi i ushqimit mund të rigjenerojë të gjithë sistemin imunitar të njeriut.
Këtë e thotë një studim i Universitetit të Kalifornisë së Jugut sipas të cilëve, kjo përbën mënyrën më natyrale për t’i dhënë krahë imunitetit.
Ekspertët kanë kritikuar prej kohësh regjimet drastike që promovojnë kufizimin e ushqimit, duke e përshkruarë atë si jo të shëndetshëm.
Por ky studim i ri thotë se nëse trupi nuk furnizohet me ushqim, atëherë qelizat staminale nisin të prodhojnë rruaza të reja të bardha të gjakut.
Këto rruaza janë luftëtaret më të mira të infeksioneve.
Ekspertët amerikanë besojnë se ky zbulim, të cilit i referohet AgroWeb.org është i rëndësishëm sidomos për pacientët që vuajnë nga tumoret apo i nënshtrohen kimioterapisë.
Këta të fundit kanë një imunitet seriozisht të dëmtuar.
Dobësimi i Imunitetit Me Kalimin e Moshës
Gjatë rritjes, sistemi imunitar i njeriut dobësohet dhe e ka më të vështirë të luftojë sëmundjet.
Kufizimi i ushqimit ndez motorrët e rigjenerimit dhe çel rrugën formimit të rruazave të reja të bardha të gjakut.
Sistemi imunitar është tërësisht i ri ndërkohë që enzimat që rrisin rrezikun e plakjes ulen në numër.
Kufizimi i ushqimit detyron trupin të përdorë depozitat e glukozës dhe yndyrnave dhe përbën një fillim të ri për organizmin.
Studimi në fjalë është bazuar në eksperimente të shumta, megjithatë ai duhet shoqëruar me studime të mëtejshme klinike.
Kufizimi i ushqimit nuk duhet bërë me hamendje apo pa rekomandimin e një mjeku specialist.
Sipas ekspertëve, imitimi i stilit të agjërimit, është një qasje më e sigurt dhe më e lehtë për t’u duruar dhe kapërcyer nga të gjithë ata që janë në dietë./AgroWeb.org
