“Agjencia kundër korrupsionit të lartë” nuk kalon! Kadrija pyet se ku do të gjendeshin njerëz të pa politizuar

TË FUNDIT

Në Maqedoni nuk mund të gjeni njerëz që nuk janë të politizuar, edhe qytetari më i thjeshtë është i politizuar e lëre më ndonjë drejtor ose zëvendësdrejtor, deklaroi deputeti i BDI-së Bajram Kadrija në debatin kuvendor mbi propozimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov për formimin e një  Agjencie për luftën kundër formave të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

 “Po është e vërtetë se partitë janë fajtore, politika është fajtore, por kjo më krijon edhe një dyshim se përse të formojmë edhe një institucion që do të jetë e politizuar. Ku do i gjeni ata njerëz që nuk do të jenë të politizuar. Unë do ta kisha mbështetur një zgjidhje të tillë ligjore, me kyçjen e ekspertëve të jashtëm për këtë punë, por edhe brenda këtyre institucioneve të ketë ekspertë të jashtëm të huaj sepse momentalisht në Maqedoni nuk mund të gjeni njerëz jo të politizuar. As një njëri i thjesht nuk mund ta gjeni jo të politizuar e lërë më ndonjë drejtor, zv/drejtor, hetues”, tha Bajram Kadrija, deputet i BDI-së.

Sipas Kadrisë institucione të tilla ekzistojnë në vend, por vlerëson se për të luftuar krimin e korrupsionin nuk ka vullnet politik nga asnjëra parti politike sepse ruajnë njëri-tjetrin kur të vijë në pushtet, e kur do të shkojnë në opozitë. E nga ana tjetër, deputeti-propozues, Pavle Trajanov në arsyetim tha se drejtori i Agjencisë parashihet të jetë me mandat 7 vjeçar dhe të zgjidhet nga bord drejtues i përbërë me njerëz me integritet dhe kredibilitet të lartë. Puna kryesore e Agjencisë do të ishte zbulimi i krimeve e rënda të organizuara dhe korrupsionin e lartë.

 “Agjencia duhet të punojë edhe në zbulimin e pronës  së fshehur nga bartësit e funksioneve publike. Jo nëpërmjet masave administrative, por nëpërmjet masave operative hulumtuese, ta detektojë, ta zbulojë pronën e bartësve të funksioneve publike këtu në Maqedoni dhe jashtë vendit, prandaj ka edhe dispozita që të mund të bashkëpunojë ne institucione adekuate nga shtete tjera”, tha Pavle Trajanov, deputet, kryetar i LD.

Në bazë të llogaritjeve është vlerësuar se format e rënda të veprave penale janë ato me mbi 100 mijë euro vlerë. Deputetja e LSDM-së Snezhana Kalevska-Vançeva pyeti se çka nëse dëmi është më i vogël, atëherë kjo të mos llogaritet vepër penale.

 “Krimi prej të cilit dëmi është 99 mijë euro, ndërsa është kryer nga bartës i lartë i një funksioni publik nuk do të paraqesë vepër të rëndë penale?  Sipas meje gjithsesi se do të paraqesë, madje edhe me vlerë më të ulët. Kjo është dilema e parë. Dilema e dytë, kush janë ato vepra, po flasim për vepra korruptive, korrupsion të lartë, forma të rënda  të cilët e minojnë stabilitetin ekonomik të shtetit?, pyeti Snezhana Kalevska-Vançeva, deputete e LSDM.

Kalevska vlerëson se kjo Agjenci do të përzihej me kompetencat e MPB, Prokurorisë, Policisë Financiare, Komisioni Antikorrupsion, andaj nuk ka nevojë edhe për një agjenci shtesë. Po sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, institucionet ekzistojnë, por nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet.

 “Çfarë duhet të bëjmë? Ja nëse ato janë kompetenca të MPB-së, po e shohim se si punon MPB. Nëse janë kompetenca të Prokurorisë, e shohim se si qytetarët e vlerësojnë prokurorinë dhe gjyqësorin në vend. Tashmë publikisht edhe përfaqësuesit europian dhe diplomatët, pa fjalor diplomatik filluan të flasin për gjendjen me krimin e organizuar në shtetin tonë”, tha Nikolla Micevski, koordinator i g.p. të VMRO-DPMNE-së.

Agjencia nuk mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve për të vazhduar në lexim të dytë, me arsyetimin se nuk ka nevojë për institucion të ri.