Kolumnisti dhe analisti politik, Agim Jonuz, në emisionin “10 Minuta” thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk është tërësisht e zbatuar. Ai shtoi se njerëzit janë të vetëdijshëm që procesi i zbatimit nuk mund të kryhet shumë shpejt, përkundrazi, nevojitet kohë.
Jonuz njëkohësisht potencoi se pas Marrëveshjes Kornizë, Maqedonia është vend ku komunitetet më të madha etnike jetojnë ndaras, e jo njëri me tjetrin.”Mendoj që Maqedonia në këtë moment jeton në dy bashkësi etnike, ku ato janë njëra pranë tjetrës, se sa njëra me tjetrën. Kjo është një e vërtetë e hidhur. Ne në mënyrë deklarative jetojmë në një përditshmëri të qetë. Mirëpo ekziston ndarja, ambiente diametralisht të kundërta. Është njëra anë e Vardarit dhe tjetra anë. Ambienti hedh dritë diametralisht të kundërt të jetës, ai nga aspekti social është i ndryshëm. Mendoj se çdo ditë e më tepër jetojmë në botëra të ndryshme, edhe pse të gjithë ne jemi qytetarë të këtij vendi”, theksoi Jonuz.
Analisti politik po ashtu shtoi se, deshën apo s’deshën, nënkuptohet që të gjithë qytetarët në Maqedoni duhet të jetojnë së bashku. Edhe njëra palë edhe tjetra, në këtë shtet, praktikisht të gjithë janë në vend të vetin.
Intervistoi: Edin Rastoder
