Ambasadorja amerikane, Anxhela Ageler, thotë se pohimi se mund të arrihet marrëveshje e re me Bullgarinë është lajm i rrejshëm. Këtë e theksoi në intervistë për Kanal 5, ku tha që Maqedonia duhet t’i plotësojë të gjithë obligimet që i ka ndërmarrë nga Marrëveshja.
“BE ishte plotësisht e qartë për atë se çfarë kërkohet nga ky vend që të lëvizë përpara drejt integrimit dhe që të jetë anëtare e barabartë e bashkësisë euroatlantike. Kjo do të arrihet me plotësimin e obligimeve të Marrëveshjes së arritur verën e kaluar. Lajmi se dikush mund të ri-negociojë marrëveshjen e arritur verën e kaluar, është lajm i rrejshëm. Gjithashtu lajm i rrejshëm është se mund të arrihet marrëveshje më e mirë të cilën ende nuk e kemi shpalosur”, tha Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve.
Për këtë deklaratë të Agelerit, nga VMRO-DPMNE me koment të kujdesshëm.
“VMRO-DPMNE lufton dhe angazhohet për shans të drejtë dhe mbrojtjen e identitetit dhe ato janë kërkesa legjitime, luftë legjitime dhe do të vazhdojmë që të luftojmë”, theksoi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.
Edhe nga ASH në përpjekje që ta bindin VMRO-DPMNE-në për t’i përkrahur ndryshimet. Dolën me propozim konkret, VMRO të jep përkrahje për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese dhe pastaj të ketë zgjedhje të parakohshme. Këtë për TV21 e tha dje kryetari i ASH-së, Arben Taravari.
Taravari thotë se këto bisedimet nuk i ka bërë me shefin e partisë opozitare, Mickoski, por se figura të VMRO-DPMNE-së mendojnë se duhet të ndodhin ndryshimet kushtetuese.
Në lidhje me propozimet e kryetarit të ASH-së, vetëm koment i shkurtër nga VMRO-DPMNE, se Taravari duhet të merret me funksionin e kryetarit të komunës.
“Është më mirë që zëdhënësi rezervë i BDI-së, Arben Taravari të merret me tema lokale dhe problemet e Gostivarit. Është e qartë se me çështjet qendrore nuk i shkon mirë”, deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.
Seanca kuvendore ku në rendin e ditës është pika për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht votimi i nevojës për ndryshimet kushtetuese u caktua të premten e ardhshme, më 18 gusht për çka po ashtu duhet shumica e 2/3. Deri më tani nga VMRO-DPMNE nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre se nuk do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese.
