Aferë me furnizime në MPB, pohon VMRO-DPMNE! Spasovski: Furnizimet në sektorin e sigurisë, janë shumë pak në numër

TË FUNDIT

VMRO DPMNE hedh dyshime se ka furnizime të dyshimta në sektorin e  sigurisë  që i realizon  Ministria e punëve  të brendshme. Aleksandar Nikolloski nga kjo parti pohon  se pikërisht në këtë sektor bëhen  furnizime me kompani që janë në listën e zeze të SHBA-ve, por nuk  zbulojnë më shumë detaje.

 “Nga njëra anë vazhdimisht flasin për BE-në, NATO, orientimin   pro perëndimor etj, ndërsa nga ana tjetër japin furnizime të ndjeshme në sektorët e sigurisë, kompanive që janë në listën  e  zeze të SHBA-ve. Në  sektorin  e sigurisë  ka furnizime që i kanë bërë kompani  të lidhura me kompani të tjera që janë në listën  e zeze të SHBA-ve”, tha Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski i hodhi poshtë këto akuza dhe tha se të gjitha furnizimet janë transparente, kurse furnizimet për sektorin e sigurisë janë pak në numër.

“Të gjitha furnizimet që bëhen publikohen në Byronë për Furnizime Publike. Mund të bëni kontroll për çdo furnizim të realizuar, kështu që në këtë aspekt absolutisht procedurat po zbatohen në mënyrë transparente. Tani, sa u takon furnizimeve në pjesën e sigurisë, ato janë pak në numër dhe kompanitë që gjenden në listën e zezë, për momentin nuk bashkëpunojnë me Ministrinë“, theksoi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.


Ministria e Financave e SHBA-ve në dhjetor publikoi një listë të zezë të zgjeruar të personave dhe kompanive nga Serbia, Kroacia, Kosova dhe Bullgaria që lidhen me korrupsion, kurse më vonë në këtë listë ishin shtuar edhe disa kompani nga Bosnja dhe Hercegovina, në të cilën figuronte edhe anëtari i Presidencës, Millorad Dodik.