Informacione jozyrtare të TV21 mësojnë se kompania “Sinohidro” e cila po ndërton autostradën Kërçovë-Ohër kërkon që të zgjatet afati i saj i ndërtimit deri në vitin 2026. Për t’i vërtetuar këto informacione pyetëm zëvendësministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, por nuk tregoi nëse kompania në fjalë ka dërguar kërkesë të tillë deri në ministri por tha se afati për përfundimin e autostradës është deri në vitin 2023.
“Projekti i këtij aksi rrugor të mbarojë në vitin 2023 konform kontratës që ka kompania.
-I hidhni poshtë pohimet se do të zgjatet afati?
-Kontrata shumë mirë shkruan se në vitin 2023 duhet të përfundojë projekt”- deklaroi Bekim Rexhepi, Zv/ministër Transportit dhe Lidhjeve.
Në emisionin “Click Plus”, kryetari i Komunës së Kërçovë, Fatmir Dehari, foli për përgjegjësi nga Ejup Rustemi dhe Bllagoja Boçvarski për vonesat e përfundimit të autostradës. Tha se vonesa e kësaj autostrade dëmton biznesin dhe rrezikon qytetarët në komunikacion.
“Vonesa është e tepruar, kam thënë kështu, unë Fatmir Dehari jam drejtuar te një nga institucione më të drejtpërdrejta Agjencinë e Rrugëve, zotëri Ahmeti ka emëruar drejtor të Agjencinë të Rrugëve Ejup Rustemin i cili është drejtpërdrejtë përgjegjës bashkë me ministrin e transportit”- tha kryetari i Komunës së Kërçovë, Fatmir Dehari.
Zëvendësministri i transportit Rexhepi gjithashtu tha se po punohet intensivisht edhe në ndërtimin e autostradës Bukojçan-Gostivar e cila do të lidhet me korridorin 8.
Këto komente Rexhepi i bëri gjatë hapjes së punimeve të kanalizimit në Komunën e Pllasnicës i cili kap vlerën e 170 mijë eurove dhe financohet nga Banka Botërore.
