Aerodromi prinë me të infektuar, kryetari Marin nuk ka kohë për mediat

TË FUNDIT

Grupimi i më shumë personave nëpër kafe bare, pa maska mbrojtëse, autobus të stërmbushur me qytetarë, këto janë disa prej arsyeve pse po rritet numri i të infektuarve me Kovid-19, në komunën e Aerodromit, që është në maje të listës së komunave të Shkupit me më shumë raste aktive.

Qytetarët thonë se i respektojnë masat por gishtin e drejtojnë drejt të rinjve të cilët mblidhen, grupohen dhe argëtohen, pa respektuar masat.

-Kam vërejtur se ka grupime, më së shpeshti të rinjtë grupohen. Vlerësoj se duhet të vendosen restrikcione dhe masa shtesë,- deklaroi Angella Nikollovska, qytetare.

-Unë aq sa mundem i respektoj masat. Por kam vërejtur se shumë persona nuk i zbatojnë fare, nuk brengosen fare. Disa edhe nuk besojnë se ekziston korona,- pohoi një qytetar.

-Nuk frikësohem, i respektoj masat që janë dhënë së bashku me të afërmit. Mendoj se ajo që të rinjtë mblidhen në mbrëmje më së shumti do të ndikoj në shpërndarjen e infektimit, tha Zorica Trajkovska, qytetare.

-Ne i respektojmë, por shumica jo, andaj jemi në këtë gjendje,-tha një qytetar.

-Askush nuk duhet të frikësohet, të gjithë duhet të kujdesen për shëndetin e tyre. Siç thonë : Ruajuni që t’ju ruaj Zoti. Por njerëzit nuk mendojnë,-tha një qytetar.

Para disa javëve Çairi ishte në krye të komunave me numër më të madh të të infektuarve, por tani e para është komuna e Aerodromit.

“Komuna e Aerodromit është njëra prej komunave të Shkupit me më shumë të infektuar. Ka 400 persona të infektuar me korona virus. Kryetari i komunës së Aerodromit, Zllatko Marin nuk deshi të flet para kamerës së TV21 për të thënë se çfarë masa po ndërmerr që komuna e tij ketë më pak të infektuar dhe njëkohësisht të ngritët vetëdija e qytetarëve”.

Në formë të shkruar nga komuna e Aerodromit na u përgjigjën vetëm se i respektojnë protokollet e caktuara nga Komisioni për sëmundje ngjitëse.