Raportin e komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi e vlerësoji si më të dobëtin në 10 vitet e fundit, që siç tha, është një pasqyrë e qartë e stagnimit institucional, e mungesës së reformave dhe e mungesës së vullnetit politik për ta çuar vendin përpara
Ndryshimet kushtetuese, sundimi i ligjit, ekonomia e demokracia, Ademi thotë se këto janë temat ku pati kritika nga Komisioni Evropian, që siç shtoi, është një sinjal alarmi për vendin.
“Një ndër pikat më kritike që thekson raporti është dështimi për të realizuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht i qartë i vendosur nga Këshilli Evropian. Komisioni nënvizon se nuk është bërë asnjë përpjekje për miratimin e tyre. Edhe reforma e administratës publike, e cila duhej të ishte një nga shtyllat e modernizimit institucional, mbetet vetëm në letër. Komisioni thekson se zbatimi praktik mungon, ndërsa administrata vazhdon të jetë e politizuar, jo meritokratike dhe pa standarde evropiane të efikasitetit. Në fushën e demokracisë dhe institucioneve, raporti është po aq kritik. Vendi nuk ka adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për integritetin zgjedhor, transparencën e institucioneve dhe funksionimin demokratik të Kuvendit. Edhe në aspektin ekonomik, raporti flet për një realitet të zymtë: inflacion i lartë, deficite të zgjeruara dhe konkurrueshmëri të ulët. Qeveria nuk po arrin të shfrytëzojë në mënyrë efektive fondet e Bashkimit Evropian — një humbje e drejtpërdrejtë për qytetarët, për ekonominë dhe për zhvillimin e vendit”, tha Ademi.
