Ademi fton VMRO-DPMNE-në t’i bashkohet “Frontit evropian”, numëron të arritur e këtij mandati qeverisës: Rritëm pagat dhe pensionet

TË FUNDIT

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, nga foltorja e Kuvendit ka ftuar edhe deputetët e VMRO-DPMNE-në, që t’i bashkohen të ashtuquajturit, “Front evropian”, transmeton TV21.

Duke reaguar në kritikat e deputetes opozitare, Eli Panova, Arbër Ademi numëroi të arriturat e këtij mandati qeverisës.

“Filluam negociatat me BE-në. 17 vjet pritëm që t’i fillojmë negociatat. Që nga viti 2005 kemi statusin – shtet kandidat. I filluam negociatat dhe u miratua korniza negociuese, ku gjithashtu këtu është vendosur që gjuha maqedonase të jetë gjuhë zyrtare në BE. Në këtë mandat kemi rritje të pagave dhe pensioneve. Në arsim kemi rritje prej 40% për katër vjet. Kur ka pasur rritje më të lartë? Në këtë mandat po zgjidhjen problemet që zgjatën prej dekadash dhe që ishin problem edhe për qytetarët. Ja unë ju ftoj edhe juve që të bëheni pjesë e “Frontit evropian”. T’i lemë pozicionet dhe të bëhemi bashkë për Evropë më të mirë. Besoj se edhe VMRO-DPMNE-ja duhet të ndryshojë në këtë drejtim. Nacionalizmi asgjë nuk na sjell. Pseudonacionalizmi nuk na sjell asnjë dobi, është për të rritur vetëm rejtingun partiak. Pse të shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Që të na ikë treni, hapat e pakos së përbashkët me Shqipërinë? Çfarë do të ndodh me konferencën ndërqeveritare? Apo të kthehemi vitin e kaluar, kur kishim në status quo?”, tha Ademi, transmeton TV21.