Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm të partisë për 30 korrik, ku pritet të trajtohet nisma e qindra delegatëve të partisë për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Zyra e LDK-së njoftoi të hënën në Facebook se takimi është thirrur për të enjten e 30 korrikut në orën 18:00.
Vendimi vjen pasi javë më parë, zyrtarë të partisë dorëzuan rreth 150 nënshkrime të nevojshme të delegatëve të partisë për ta thirrur kuvendin.
“Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, tha LDK-ja të hënën.
Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Nisma për shkarkimin e kryetarit vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Zhvillimet në LDK gjithashtu kanë ndikuar edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Abdixhiku nisi javë më parë bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Por, ai më pas njoftoi se do t’i pezullonte bisedimet me Kurtin për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 6 gusht, kur do të nisë edhe rrjedhja e procesit për themelimin e institucioneve të reja dhe pritet të shihet nëse Abdixhiku do të mbetet në krye të LDK-së dhe nëse do të ketë vazhdim të bisedimeve LDK-LVV.
Çfarë ndodhi?
Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.
Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.
Por, tani ai do të përballet me kërkesën e anëtarëve të partisë së vet për shkarkimin e tij në kuvendin e 30 korrikut.
Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.
Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./REL
