Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në pesë komuna pas përfundimit të balotazhit të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Në një konferencë për media të mbajtur nga selia qendrore e LDK-së në Prishtinë, Abdixhiku tha se mesazhi i qytetarëve ishte i qartë dhe se Kosova kërkon maturi përtej zhurmës. Ndërkaq bëri të ditur se bashkë me raundin e parë të zgjedhjeve komunale, LDK-ja do të qeverisë me 7 komuna.
“Pra sonte LDK fiton në 5 komuna. Fitojmë në Prishtinë, në Pejë, në Viti, në Dragash e në Junik. E në raundin e parë kemi fituar edhe në Lipjan edhe në Istog, duke e dërguar numrin e gjithmbarshëm të komunave ku LDK udhëheq, në plot 7 sosh. Dhe kështu vendosur qartë LDK-në si partinë me numrin më të madh të komunave që qeveris nga këto zgjedhje lokale”, tha mes tjerash Abdixhiku.
