Abazi: Pika për tërheqjen e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve është hequr nga rendi i ditës

TË FUNDIT

Nënkryetarja e Qytetit të Shkupit, Bujare Abazi përmes rrjeteve sociale njoftoi se pika e propozuar për tërheqjen e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve mbrëmjen e djeshme është hequr nga rendi i ditës.

“Me përgjegjësinë më të madhe që ndjej ndaj jush, dua t’u informoj se pika e propozuar për tërheqjen e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve (i miratuar më 30.03.2021) u hoq nga rendi i ditës në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit që vijoi punimet deri në këto çast. Dua të sqaroj edhe një herë se kjo pikë ishte propozuar vetëm për tu futur në rend dite dhe nuk kishte pasur asnjë vendim rreth të njëjtit. Qëllimi nuk ishte aspak ndryshimi i vendimit ose ndërrimi i emrave shqipe të rrugëve dhe shesheve, por gjetja e një zgjidhje për të tejkaluar ngërçin që e kanë shkaktuar qeverisja e kaluar lokale LSDM-BDI përmes miratimit të vendimit në kundërshtim me Ligjin për regjistrim dhe qeveria aktuale qëndrore LSDM-BDI përmes Regjistrit Qendror”, ka shkruar mes tjerash Abazi.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit kanë propozuar që të shfuqizohet vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve, urave dhe shesheve në rajonin e Qytetit të Shkupit. Fillimisht me 24 vota “pro” dhe 19 “kundër” ky propozim hyri në rend të ditës, si pikë shtesë, ndërsa më pas në orët e vona është hequr nga rendi i ditës. Ndërkaq vendimi që është në fuqi parasheh që disa rrugë të Shkupit të mbajnë edhe emra të rilindësve shqiptarë.

Në formatin e ri të Qytetit të Shkupit tani shumicën e këshilltarëve e përbëjnë këshilltarët VMRO-DPMNE-së ASH-së dhe të Majtës.