Ministri i Arsimit dhe shkencës Arbër Ademi foli për tërheqjen e vendimit për rikthimin e drejtorëve në dy shkollat e Komunës së Gostivarit. Ai tha se ka vepruar kështu, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi zgjedhor.
“Një veprim të tillë kemi vendosur ta bëjmë vetëm për një arsye, që mos të dëmtohet procesi zgjedhor. Kur kemi pritur deri tash, të presim edhe pak megjithëse juridikisht mund të konsultoheni edhe me jurist se është gjithçka është në rregull. Shkelim ligjin nëse unë nuk veproj, apo një kryetar komune nuk vepron në përputhje me vendimet e shkallës së dytë”, tha Ademi.
Por a e shkeli ligjin MASH, kur në fushatë zgjedhore shkarkoi dhe emëroi funksionarë në institucione publike? Nga Komisioni antikorrupsion paralajmëruan se do ta hetojnë rastin.
“Po mbledhim elemente të reja për rastin. Presim që të na dërgojnë dokumente nga Ministria e Arsimit. Pastaj do ta hapim lëndën në seancat e ardhshme. Kemi shumë lëndë të cilët po presin rend”, thonë nga antikorrupsioni.
Për rikthimin e drejtorëve Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari u shpreh se kjo është bërë tani në periudhë parazgjedhore, me qëllim për të siguruar vota për zgjedhjet presidenciale.
Ministria e arsimit me siguri për të siguruar vota, na i morën edhe ingerencat. Tash është periudhë zgjedhjesh, fushatë është, dhe kjo është skandaloze, në periudhë të fushatës të ndërrohet një drejtor dhe të emërohet një drejtor i cili gjashtë herë ka qenë ushtrues i detyrës në mandatin e ish kryetarit të komunës së Gostivarit, tha Taravari.
Ndryshe MASH për të dytën herë ia mori kompetencat Komunës së Gostivarit në sferën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve. Më pas ministria shkarkoi drejtorët e emëruar nga Taravari për t’i kthyer drejtorët e vjetër.
Sipas ligjit për zgjedhje, neni 8a paragrafi 2, nuk mundet të hapet procedurë për punësimin e personave të ri, apo procedurë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës në institucione shtetërore dhe publike, ndërsa procedurat e hapura duhet të ngrihen.
