A u dërgua vendimi në Qeveri apo jo? Përplasje pretendimesh për emrat e rrugëve në Tetovë

TË FUNDIT

Ndryshimi i emrave të rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë në vitin 2007 rikthehet në qendër të vëmendjes, me pretendime të kundërta mes ish-udhëheqësisë dhe zyrtarëve aktualë të komunës. Resi Abdurahmani i cili në periudhën 2005-2009 ishte kryetari i Këshillit Komunal, deklaroi për TV21 se procedura ka qenë plotësisht legjitime, me konsensus politik dhe se lista i ishte dërguar Ministrisë së Transportit. Sipas tij, moskthimi i përgjigjes brenda afatit ligjor nga ana e qeverisë u llogarit si pëlqim në heshtje.

“Pas kalimit të propozim-listës, lista e pranuar nga Këshilli është çuar për miratim në Qeveri, gjegjësisht kohën në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, për të parë mos ka ndonjë emër të pakontestueshëm. Po nuk besoj se ka pasur, pasi i ka kaluar të gjithë filtrat, edhe këshilltarët e këtyre subjekteve që i përmenda. Nuk besoj se i kanë pranuar ose i kanë votuar këta emra pa pëlqimin e tyre në nivelin qendror. Është dërguar lista në Qeveri, është pritë afati ligjor më tepër se sa duhet, sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, më duket ka qenë një muaj apo dy po është pritë dyfish më shumë. Nuk është kthyer përgjigje. Pasi s’kemi pasur edhe kontestime nga ana e këshilltarëve këtu, as nga ana e askujt, atë listë e kemi nxjerrë përsëri, ka dalë në shqyrtim publik. Nuk ka pasur… një javë ka ndenjtë në shqyrtim publik a nuk e di sa, nuk ka pasur reagime prej popullatës dhe heshtjen e administratës, bazuar në ligjin për administrim, pushtet lokal, vetëqeverisje lokale, e kemi llogaritur si të pranuar”, tha Resi Abdurahmani – ish kryetar i Këshillit të Tetovës

Por, një version krejt tjetër shpalos zëvendëskryetari aktual i Tetovës, Albi Qamili. Përmes një konference për media, ai publikoi korrespondencën me Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se në arkivat zyrtare nuk ekziston asnjë dëshmi se ky vendim është dërguar ndonjëherë në Qeveri për pëlqim.

“I jemi përgjigjur Gjykatës Kushtetuese duke ia dërguar listën me emrat e propozuar. Me 3 qershor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese ka lëshuar kërkesën e tretë urgjente ku kërkon kërkesën e Komunës së Tetovës drejtuar Qeverisë për marrjen pëlqim të listës me propozimet e emrave. Ne përsëri jemi drejtuar Arkivit Shtetëror ku kemi kërkuar të gjithë materialet që… duke marrë parasysh edhe kërkesën për Qeveri, po edhe të gjithë materialet që ekzistojnë lidhur me këtë çështje. Dhe ne nuk kemi pasur nga Arkivi Shtetëror një përgjigje se ekziston një lloj kërkese e drejtuar në Qeveri. Dhe përsëri Gjykata Kushtetuese, në datën 18 maj, pra 2026, e ka informuar komunën se ka hapur lëndë, e ka pranuar iniciativën për të hapur lëndë për ndryshim të emrave të rrugëve, shesheve dhe urava”, tha zëvendëskryetari i Tetovës, Albi Qamili.

Mbi këtë bazë, Qamili vlerëson se Këshilli Komunal i asaj kohe nuk e ka dërguar vendimin për miratim dhe është thirrur në nen të gabuar të ligjit. Nga ana tjetër, ish-kryetari i këshillit komunal Abdurahmani këmbëngul se komuna kishte kryer çdo veprim ligjor për të zyrtarizuar emërimet e reja.
Tashmë Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar vendimin e vitit 2007 duke kthyer emrat e vjetër të rrugëve dhe sheshit të qytetit të Tetovës.
Udhëhqësia aktuale thotë se kanë formuar komision dhe se po punojnë në zgjidhjen e rastit, ndërsa opozitarja BDI sërish ka paralajmëruar protesta të shtunën më 11 korrik.