A po bëhet nisma “Ballkani i hapur” alternativë për Bashkimin Evropian dhe a hoqët dorë nga eurointegrimet shkaku i bllokadës së Bullgarisë? Këtë pyetje e parashtroi Bojan Stojanovski nga opozitarja VMRO-DPMNE, pas marrëveshjes që dje e arritën kryeministri Zaev, ai i Shqipërisë Rama si dhe Presidenti i Serbisë, Vuçiq. Nuk ka rrugë tjetër pos Evropës, por derisa të bëhemi pjesë e Unionit duhet të punojmë edhe në fusha të tjera, tha Zaev, duke e akuzuar opozitën për hipokrizi.
“z.Zaev a u shuan shpresat dhe ambiciet tuaja për në BE shkaku i vetos së Bullgarisë dhe a është Mini Shengeni zëvendësim i BE-së?”, pyet Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
“Ne nënshkruam një marrëveshje, nënshkruam marrëveshje për njohjen e lejeve të punës me qëllim të mund të punojmë lirshëm kudo që vendosim, këtu në Ballkan. Nënshkruam marrëveshje, memorandume për lirim, për ta arritur qëllimin përfundimtar, liria e plotë e qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve në vendkalimet tona kufitare”, u përgjigj Zaev.
Kritikat që janë cekur në Raportin më të ri të Departamentit amerikan të shtetit, gjithashtu ishin pjesë e pyetjeve të deputetëve. Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE pyeti nëse kryeministri do të kërkojë përgjegjësi nga zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski?
“Z.Zaev, a keni ndërmend të kërkoni përgjegjësi nga ministri juaj për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, sepse është tejet e qartë se pasi erdhi në këtë post, korrupsioni ka marrë hov ende më madh? A do t’i kërkoni falje administratës të cilën e akuzuat për korrupsion, me qëllim që t’i amnistoni funksionarët e eshalonëve të lartë, të cilët janë problemi kryesor? Dhe a jeni duke menduar për atë se keni dërguar mesazh të rrezikshëm deri te zyrtarët e lartë se në përgjithësi se janë “të paprekshëm?”, pyeti Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE.
“Sistemi po përballet edhe me peshqit e mëdhenj, edhe me peshqit e vegjël, siç thotë populli. Për shumë politikanë të lartë tashmë ka aktgjykime dhe sigurisht se mesazhi i cili përcillet çdo ditë është se ligji vlen për të gjithë njësoj”, u përgjigj Zaev.
Opozita kritikoi edhe për rritje të punësimeve në administratë, sidomos në këtë periudhë para zgjedhjeve. Kjo quhet ryshfet parazgjedhor, akuzuan nga VMRO-DPMNE-ja, por kryeministri Zaev tha se viteve të fundit numri i nëpunësve administrativë është ulur dukshëm.
