A po vendoset në pikëpyetje Korridori 8? Milloshoski paralajmëron përgjegjësi për funksionarë të mëparshëm

TË FUNDIT

Vendim i prokurorit për rastin me Bechtel dhe Enka është i mundshëm shumë shpejt, ka bërë të ditur prokurori publik shtetëror, Lupço Kocevski. Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion hapi lëndë për përzgjedhjen e kompanive që duhet të mbikëqyrin ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Prokuroria po heton edhe kontratën e parë e cila më pas u anulua, si dhe të dytën e shpallur më pas. Kocevski në emisionin 360 gradë deklaroi se në kontratë ka shumë gjëra të pa logjikshme, dhe një nga elementet në procedurë është se kompania Elektrosolution e cila u zgjodh për të kryer mbikëqyrjen, e ka marrë licencën për të punuar për disa ditë gjatë tenderit,  edhe se kompania më parë ishte e angazhuar në prodhimin e veshjeve të brendshme.

“Bëhet fjalë për konsorcium nga tre kompani, të cilat ende kontrollohen ndërsa tani ka disa gjëra të palogjikshme brenda marrëveshjes, ndërmerren veprime dhe unë mendoj se ndoshta së shpejti Prokuroria do të dalë me vendim. Ka gjëra të palogjikshme brenda marrëveshjes, ka një kompani e cila nuk ka qenë kompani…nuk ka punuar me këtë”, tha Lupço Kocevski, prokuror publik.

Gjatë gjithë kohës dhe derisa zgjatën kontratat për ndërtimin e korridoreve nga Behtel dhe Enka, por edhe tani, nga VMRO-DPMNE alarmojnë për lëshime dhe mospërputhje serioze në të gjithë projektin. Kryetari i partisë dhe mandatar i ardhshëm Hristian Mickoski para dy javëve  deklaroi se ka dy opsione për marrëveshjen, të prishet ose të rinegociohet, ndërsa sipas tij, opsioni i dytë është më i pranueshëm.

Jozyrtarisht mësohet se Qeveria e ardhshme do të kërkojë vazhdimin e kontratës nga 5 në 10 vjet për të lehtësuar ngarkimin e buxhetit dhe për të shkurtuar projektin, përkatësisht për të mos ndërtuar fare një seksion. Për këtë foli në Daily Click, Antonio Milloshoski, i cili vlerësoi se Qeveria e ardhshme do të ketë detyrë të vështirë sa i përket marrëveshjes, por paralajmëroi edhe përgjegjësi për funksionarët e mëparshëm.

“Qeveria do të ketë detyrë të vështirë, por jam i sigurt se do të përpiqet që ta realizojë, d.m.th të ftojë përfaqësues të lartë të kompanisë Behtel dhe Enka e cila është një kompani multinacionale, por pa dyshim se do të na respektojnë si shtet që të zhvillojmë bisedë për plotësim ose rishqyrtim të marrëveshjes me Behtel dhe Enka. Riprogramimi i këtillë ose plotësimi shtesë i kësaj marrëveshjeje nuk e përjashton mundësinë për përgjegjësi të disa funksionarëve të mëparshëm”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Marrëveshja për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D u nënshkrua më 8 mars vitin e kaluar që përfshin ndërtimin e katër akseve të autostradës me gjatësi prej 110 km që duhet të kushtojë 1,3 miliardë euro.