Vazhdon të bie niveli i ujit në liqenin e Prespës.
Aktivistët mjedisit në formë ironike vendosën tabela në bregun e liqenit të Prespës ku është tërhequr uji. Në to kanë shkruar: “Shitet tokë në vend atraktiv, që dikur ka qenë liqen, për blerjen e tokës qytetarët të lajmërohen në Ministrinë e Ambientit Jetësor”.
Nga informacionet në teren mësojmë se këto tabela i ka larguar menjëherë policia e Prespës…
Rënia e dukshme të nivelit të liqenit të Prespës shihet edhe në Google Maps.
Ekspertët thonë se arsyeja kryesore për rënien enorme të nivelit të liqenit është faktori njeri. Ata kërkojnë qasje më serioze nga institucionet.
“Mendoj se 90% e këtij problemi në Liqenin e Prespës është rezultat i veprimtarisë njerëzore. Dhe nuk ka asnjë kontroll nga strukturat përgjegjëse për atë që po ndodh në pellgun e Liqenit të Prespës”- deklaroi Arian Meroli, Rezerva Ndërkufitare e Biosferës.
Në muajin gusht për këtë fenomen të uljes së nivelit të liqenit të Prespës dhe Ohrit ka shkruar edhe NASA.
Thonë se liqeni i Prespës ka pësuar rënie të ndjeshme si në sipërfaqe ashtu edhe në vëllim. Në një studim të fundit, shkencëtarët raportuan se Liqeni i Prespës humbi 7% të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tij midis viteve 1984 dhe 2020, me gjasë për shkak të rritjes së tërheqjes së ujit për bujqësinë.
Edhe niveli i ujit të liqenit të Ohrit po i afrohet nivelit minimal të lejuar. Sipas matjes së sotme, niveli është shtatë centimetra në pikën kritike. Sipas komunitetit shkencor, nevojitet mobilizimi urgjent i autoriteteve bashkiake dhe kombëtare dhe masa konkrete për stabilizimin e gjendjes hidrologjike të dy liqeneve natyrore.
