Pas zhvillimeve të fundit politike, integristët u mblodhën në Tetovë. Këshilli i përgjithshëm i BDI-së autorizoi kryetarin Ali Ahmeti që të fillojë bisedimet më të gjitha partitë politike për të ruajtur kursin euro atlantik.
“Fillimisht u diskutua në mënyrë konstruktive për interesat e shtetit, se cilat janë interesat e shtetit edhe interesat e qytetarëve. Ajo çka është unamitetit u konfirmua nga të gjithë anëtarët e këshillit të përgjithshëm është se, kursi euro atlantik i RMV është i pa alternativë dhe vendi ka nevojë për stabilitet edhe vazhdimësi të këtij kursi, për zbatim të refomave që e përshpejtojnë rrugën drejt këtij qëllimi. Anëtarësimin në BE por edhe rumbullaksimin e projekteve historike që kanë nisur edhe janë pjesë të agjendës tonë politike”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit të gjitha opsionet janë të mundshme, si për të qenë pjesë e opozitës por edhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Të gjitha opsionet janë të mundshme përveç kombinimeve që janë në kombinim strategjik me interesat e qytetarëve, vendit edhe partnerëve tanë dhe ne do jemi garantuesi i kësaj të ardhme euroatlantike të vendit dhe kryetari Ahmeti mbetet që pas konsultimeve të merr vendimin e duhur”, shtoi Osmani.
Para fillimit të takimit të këshillit të përgjithshëm Ali Ahmeti tha se tani për tani nuk e kanë shqetësim se do të ngelin në opozitë, por shqetësim i tyre janë interesat shtetërore siç janë anëtarësimi në BE dhe zgjidhja e çështjes me Bullgarinë.
“Tërë analiza është që ne të vendosim në prioritet interesat e shtetit proceset e rëndësishme në vend, sic është marrja e datës në Bashkimin Evropian, zgjedhja e kontesteve me palët funksionimi i shtetit në kuadër të normalitetit dhe fare nuk e kemi shqetësim tani situatën opozitë apo pozitë”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Për Ahmetin lajmet se deputet të BDI-së do kalojnë në opozitë, janë të rrejshme.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim, të gjithë janë lajme të rrejshme spekulative kështu që BDI është më se unik”, potencoi Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.
Pas humbjes së qytetit të Shkupit nga ana e LSDM-së kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqje e cila akoma nuk është deponuar në kuvend, ndërsa në ana tjetër partitë opozitare me përkrahje edhe të lëvizjes Besa mblodhën 61 nënshkrime për shkarkim të Qeverisë.
