A mund të pengohet procesi i ndryshimeve kushtetuese, me kërkesën e partive shqiptare që me hapjen e Kushtetutës për futjen e bullgareve në Preambulën, të fshihet edhe formulimi 20%? Avokati i popullit Naser Zyberi në emisionin Click Plus në TV21 tha se tani nuk është koha për kërkesa të këtilla. Periudha kur imponohet kërkesa e këtillë është problematike për shkak se anëtarësimi në BE-në është në interes të të gjithë qytetarëve duke e përfshirë edhe shqiptarët, tha Zyberi.
“Mbarimi i negociatave dhe anëtarësimi i plotfuqishëm në BE është çështje kapitale që mendoj se nuk mund, nuk duhet dhe nuk guxon që të pengohet me imponimin e çfarëdolloj çështjeve të tjera që mund të jenë të arsyeshme, të nevojshme, por nëse kjo është pengesë për realizimin e këtij qëllimi, atëherë mendoj se është e palejueshme”, theksoi Naser Zyberi, Avokati i Popullit.
Deri më tani vetëm një pjesë e partive parlamentare e konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në takimin e liderëve. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas paralajmërimit të Kovaçevskit për takim, tha se do të shkojë, për shkak se nëse nuk shkon kjo do të interpretohet se ai është kundër eurointegrimeve, megjithatë dje tha se nuk ka thënë se do të shkojë. Sot thotë se vendimin do ta sjellë gjatë fundjavës.
“Shpresoj se do të konsultohem me telefon edhe me partnerët e koalicionit, me grupet parlamentare, me Komitetin Ekzekutiv, dhe gjatë ditës së nesërme ta bëjmë me dije qëndrimin tonë lidhur me atë nëse do të shkojmë dhe nëse jo, pse nuk do të shkojmë”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga BDI-ja thonë se do të marrin pjesë në takimin e së hënës që e thirri kryeministri Kovaçevski, e pjesëmarrjen e tyre e konfirmuan edhe nga Aleanca për Shqiptarët.
“Të hënën në orën 12 do të jemi në Parlament ku do të bisedojmë për perspektivën e ardhshme evropiane të Republikës së Maqedonisë, por edhe për ndryshimet e mundshme që duhet bërë në Kushtetutë. Shpresoj se do të kemi debat konstruktiv. Aleanca për shqiptarët do të jenë pjesëmarrësi i drejtpërdrejtë në këtë ngjarje dhe do ta japë maksimumin e saj që kjo periudhë derisa të ndodhin ndryshimet kushtetuese në RM, të kalojë sa më lehtë që është e mundur”, pohoi Arben Taravari, u.d. kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Lëvizja Besa ende pa qëndrim nëse do të marrë pjesë në takimin liderësh. Zëvendëskryetari i partisë, Arijanit Hoxha për TV21 vetëm tha shkurt se për këtë çështje do të sjellin vendim gjatë fundjavës. Takimi i liderëve do të mbahet të hënën në Kuvend. Sipas propozimit francez, kusht për anëtarësimin e vendit në BE është të sillen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht bullgarët të futen në Preambulën e Kushtetutës. Për miratimin e tyre nevojitet shumicë prej 2/3, që i bie se për ndryshimet do të duhet të votojnë të paktën 80 deputetë.
