Pak kohë pasi filloi, u ndërpre seanca e Komisionit për Politikë të Jashtme, në rendin dite të së cilës ishte referimi i disa ambasadorëve të rinj që duhet të shkojnë në përfaqësi të rëndësishme diplomatike në vende të huaja. Seanca ishte e mbyllur për opinionin publik, kurse tezën lidhur me atë se si do ta përfaqësojë vendin, e prezantoi vetëm Zoran Popovi, ambasador i sapoemëruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi kryetari i Komisionit, Antonio Milloshoski ndërpreu seancën, ambasadorët që erdhën për t’u dëgjuar nga ana e anëtarëve të këtij trupi punues, u larguan të habitur dhe duke pyetur – për çfarë arsye ishin thirrur. E pyetëm Milloshoskin për arsyet e ndërprerjes së seancës së sotme, e ai u përgjigj shkurt:
“Për shkak të seancës plenare. Vazhdimi i Komisionit për Punë të Jashtme do të caktohet në mënyrë shtesë.”- tha Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme.
Por, edhe përkundër shpjegimit të këtillë, Milloshoski nuk mori pjesë në seancën plenare. Sipas Arbër Ademit nga BDI, i cili është anëtar i Komisionit, sjellja e këtillë e Milloshoskit është keqpërdorim i pozitës së tij.
“Keqpërdorim klasik i pozitës së kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, pasi seanca u ndërprerë pa asnjë sqarim. Është mirë që kaloi ambasadori i ShBA-ve në prezantimin e platformës për aktivitetet diplomatike, por sigurisht se duhet të vazhdojë edhe për kandidatët e tjerë të cilët erdhën sot në këtë seancë. Me të vërtetë nuk ka asnjë arsyetim me bazë për ndërprerjen e seancës. Nuk është hera e parë të veprohet në këtë mënyrë.”- deklaroi Arbër Ademi, BDI.
Një pjesë e madhe e ambasadorëve që tashmë kanë marrë agremente, ka disa muaj që presin dhe nuk kanë shkuar në vendet e caktuara, vetëm sepse nuk kanë kaluar në Komisionin për Politikë të Jashtme, edhe pse kjo nuk është e detyrueshme për marrjen e detyrës.
Si rrugëdalje nga ky ngërç, a mundet këta ambasadorë të dërgohen nga Presidenti i vendit pa e paraqitur platformën e tyre në Parlament?
“Ka pasur ambasadorë që janë emëruar pa i prezantuar platformat e tyre në Komisionin për Punë të Jashtme, sepse paraqitja e platformave nuk ka bazë ligjore, pra nuk është e detyrueshme dhe mund të kalojnë drejtpërdrejt përmes Presidentit të vendit. Kështu që, kjo praktikë tashmë e vendosur në Parlament për paraqitje dhe prezantim të platformave shkon në favor të transparencës.”- pohoi Ademi.
Përveç Popovit, i cili do të ushtrojë funksionin e ambasadorit në Uashington, pritet në Kanada të dërgohet Agron Buxhaku, kurse ambasadori i ri në Norvegji duhet të jetë Driton Kuçi. Në Sllovaki do të udhëtojë Evgenija Ilieva, kurse në Belgjikë ambasador do të jetë Metodija Belevski. Në ndërkohë kanë mbërritur edhe agrementet për Francë ku ambasador do të jetë Viktor Dimovski, pastaj Agnesa Rusi për ambasadore në Bullgari, kurse në Turqi pritet të shkojë Jovan Manasievski.
