Bashkimi Evropian dëshiron që sa më shpejtë që është e mundur që të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut, u shpreh shefi i Delegacionit Evropian në vend Dejvid Gir kur u pyet për komentet në lidhje me deklarata e Dimitrovit dhe Shekerinskës.
“Ne dëshirojmë që të hapen negociatat për anëtarësim me vendin tuaj sa më shpejtë që është e mundur, ashtu siç tha komisionari për zgjerim z.Varhej se RMV i ka plotësuar të gjitha kërkesat për anëtarësim në BE dhe tani duhet të behën përpjekjet që të tejkalohet gjendja e tanishme dhe të sigurohet hapja e negociatave”, deklaroi Gir.
Para dy ditësh, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, pasi vendi nuk morri datë për fillim të negociatave me BE-në, u shpreh se “besimi ndaj BE nuk ka qenë asnjëherë më i ulët se tani. Dhe jo vetëm në vendin tonë dhe se është e pamundur të thuash diçka kaq shumë herë dhe të mos e përmbushësh. Dhe sigurisht me rënien e besimit bie edhe ndikimi”. E shqetësim për humbjen e besueshmërisë ndaj evropianizimit ka shprehur edhe Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska e cila thotë se qasja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor ishte stabilizimi përmes integrimit.
“Qasja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor ishte stabilizimi përmes integrimit. Tani që procesi po humbet dinamikën, mesazhi që po u dërgojmë miqve tanë evropianë është se stabiliteti, siguria dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor varen shumë nga perspektiva e tij për t’u anëtarësuar në BE”, vlerëson Shekerinska.
E gjithë kjo situatë mosbesimi është krijuar për shkak të premtimit të përsëritur në këto vite për të nisur bisedimet aderuese për në BE, sidomos pas zgjidhjes së kontestit me emrin me Greqinë, por tani bllokada po vjen nga Bullgaria për çështje historike e gjuhësore, që janë çështje dypalëshe mes dy vendeve.
