A po zbrazet Maqedonia nga ikja e qytetarëve jashtë vendit për një jetë më të mirë!? Nga viti 2011, deri në vitin 2019 nga vendi ynë janë larguar 700.000 qytetarë. Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, sipas së cilit kjo është një shifër alarmante.
“Një e dhënë që sot e dëgjuam, që nga viti 2011, deri në vitin 2019 nga vendi ynë janë larguar 700.000 qytetarë, ose çdo i katërti ka ikur nga shteti. Edhe pse ky trend është ulur në periudhën e kovidit dhe më tej, për fat të keq paraqet problem serioz jo vetëm për bartësit e funksioneve publike dhe krijuesit e politikave, por edhe për të gjithë shoqërinë”, tha Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike.
Bytyqi theksoi se ka vende të lira të punës në Maqedoni, por se si rrjedhojë institucionet duhet të krijojnë politika për rikualifikim të qytetarëve, në mënyrë që ata të përshtaten në tregun e punës.
“93,4% e të papunësuarve janë analfabetë funksionalë, do të thotë aftësitë e tyre nuk përshtaten me tregun e punës dhe përfundimisht mendoj se ka ardhur koha që të gjithë duhet të vetëdijesohemi se duhet të ndryshojmë dhe të jemi pjesëtarë të tregut të punës, gjithsecili sa të mundet të kontribuojë. Kjo do të thotë rikualifikim, ndryshim i shprehive”, deklaroi Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike.
Megjitahtë Bytyqi thotë se ashtu siç qytetarët tanë po shkojnë për të punuar në vende të huaja, ashtu edhe shtetas të huaj po vijnë të punojnë në Maqedoninë e Veriut.
“Ja keni në ndërtimtari tashmë, numër serioz i banorëve nga Turqia që vijnë sepse…e kanë destinacion serioz sepse pagat janë 50% më të larta se pagat në Turqi, keni edhe tjera, keni nga sektori IT, keni nga India, nga Pakistani, janë vende të cilat kanë çfarë të ofrojnë në segmente të ndryshme”, pohoi Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike.
Sipas Bytyqit migracioni është fenomen global dhe kjo ndodh edhe në Gjermani, Norvegji por edhe në Amerikë.
