Është joserioze të komentohen deklaratat e ish politikanëve, tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për deklaratën e ish-ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili në emisionin DailyClick në TV21 tha se eksponentë të Frontit Europian po ndiqen nga institucionet e sigurisë me urdhër të qeverisë, pas njoftimeve për destabilizimin e mundshëm në vjeshtë. Mickoski thotë se qeveria nuk merret me skenarë të errët.
“Politikanët që abuzuan institucionet, shkuan në histori, në anën e errët të historisë. Ne nuk kemi ndërmend të merremi me skenarë të tillë të errët, ata skenarë të errët ua lëmë atyre që luanin sport, luanin futboll dhe basketboll nëpër zyra, që blenë qendra tregtare, që ndërtuan perandori mbi kurrizin e qytetarëve, që grabitën qytetarët, hapën fabrika për marihuanë, u jepte pasaporta kriminelëve dhe tregtarëve të drogës etj. Kështu që unë nuk do të komentoja deklarata të tilla politike”, tha Mickoski.
Ministri Arben Taravari thotë paraqitja e opozitarëve të tanishëm duket paranojake.
Paralajmërimet për destabilizim janë diskutuar në takimin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti me ambasadorin francez Siril Baumgartner, ku Ahmeti ka thënë se BDI nuk është pjesë e ndonjë skenari destabilizues, por se bëhet fjalë për një mashtrim të qeverisë.
“Në lidhje me situatën e sigurisë, z. Ahmeti alarmoi për mashtrimin e madh qeveritar për të inskenuar skenarë destabilizuese që të defokusohet opinionin nga dështimet e mëdha dhe skandalet e panumërta dhe të përditshme të qeverisë së pa-aftë. BDI nuk është pjesë e asnjë skenari destabilizues dhe hedh poshtë çdo tendencë komplotiste qeveritare”, thotë BDI.
Edhe ish ministrja e mbrojtjes, deputete aktuale e LSDM-së Sllavjanka Petrovska në edicionin e sotëm të DailyClick tha se skenarët e këtillë të Mickoskit për destabilizim të mundshëm janë përpjekje për maskimin e skandaleve në qeveri.
“Deklarata e kryeministrit se BDI po përgatit destabilizimin më shumë se dhjetë ditë më parë. Unë nuk shoh që dikush të arrestohet nga BDI. Destabilizimi i një shteti është një krim i rëndë. Nuk e di, ndoshta kolegu Bekteshi ka informacion apo njohuri nëse po ndiqen apo jo, por nuk do të habitesha. Dhe këtë mund të mos e bëjnë institucionet shtetërore, por parastrukturat e VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, LSDM.
Bekteshi në emisionin në TV21 akuzoi se partnerët qeverisës VMRO-DPMNE dhe VLEN u kanë dhënë detyra institucioneve të sigurisë që të ndjekin përfaqësuesit e Frontit Europian për aktivitetet që do të ndërmarrin dhe për atë që planifikohet të ndodhë në vjeshtë. Ditën e djeshme ka pasur një reagim nga Stejt Departamenti amerikan, prej ku thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët e qeverisë për çështjet me interes të përbashkët.
