Vetëm një muaj para mbajtjes së Këshillit Europian në të cilin Maqedonia duhet të plotësojë obligimin për ndryshimet kushtetuese dhe me këtë të vazhdojë rrugën drejt BE-së, ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani nuk deshi ta thotë nëse vendi po e lëshon mundësinë për negociata me BE-në, por vetëm tha se për këtë do të punojë deri në momentin e fundit. Fajin për bllokadën në mënyrë të drejtpërdrejtë ia hodhi opozitës dhe tha se gishti do të jetë i drejtuar kah ata deputetë që nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe do të përmenden me emër dhe mbiemër.
“Unë nuk mund tani të them se po e lëshojmë shansin. Unë mendoj se duhet të punojmë, siç thash deri në frymën e fundit, deri në gurin e fundit që ndodhet para nesh që të realizojmë ndryshimet kushtetuese dhe të kapim mundësinë. Por nëse nuk arrijmë do të duhet me emër dhe mbiemër të përmendim ata që e cenojnë të ardhmen europiane, që e bllokojnë prosperitetin e këtij vendi, që i bllokojnë reformat, sundimin e së drejtës, që bllokojnë standardin jetësor të qytetarëve dhe që i obligojnë qytetarët të largohen nga Maqedonia e Veriut. Ata njerëz me emër dhe mbiemër do të përmenden në opinion”, tha Bujar Osmani, ministër për Punë të Jashtme.
Për provokimin e fundit nga zv.presidentja bullgare, Ilijana Jotova, e cila thotë se identiteti maqedonas është ndërtuar në bazë antibullgare, si dhe në kumtesën e fundit të fjalimit të saj të publikuar në ueb faqen e presidentit ku na quan “të ashtuquajturin komb maqedonas”, ministri Osmani e dënoi këtë por nuk ka për qëllim që të dërgojë nota për sjelljen e tillë.
“Aktorët e caktuar politik po mundohen që këtë çështje ta shfrytëzojnë për marrjen e pikëve politike, për fat të keq zv.presidentja që e përmendët udhëhiqte me një fushatë të tillë kundër RMV-së dhe kundër popullit maqedonas në përpjekje për të krijuar profil të vetë politik. Mund vetëm të dënoj mënyrën e tillë që nuk i sjell të mira as Republikës së Bullgarisë, e as raporteve mes dy shteteve tona”, theksoi Bujar Osmani, ministër për Punë të Jashtme.
Osmani qëndrimet e tilla i kumtoi pas takimit me ministren rumune për punë të jashtme, Luminica Odobesku. Për dallim nga politika bullgare ndaj vendit tonë, ministrja rumune tha se në Romani i jepet rëndësi gjuhës maqedonase, ndërsa në Maqedoni kultivohen traditat e komunitetit rumun.
“Ne e promovojmë gjuhën maqedonase në Rumani dhe e kundërta gjuha rumune do promovohet në Maqedoni. Më 8 dhjetor çdo vit festojmë Ditën e gjuhës Maqedonase në përputhje me Ligjin që parlamenti rumun e ka sjellë në vitin 2018”, theksoi Luminica Odobesku, ministre për Punë të Jashtme e Rumanisë.
Odobesku tha se Rumania e mbështet Maqedoninë në anëtarësimin në BE dhe shpreson se së shpejti do të plotësohet qëllimi i procesit euro integrues.
