A po detyrohen nxënësit të blejnë uniforma? Dauti: Vendosin këshillat e shkollave, jo komuna

TË FUNDIT

“Lista më mirë për Tetovën” akuzoi komunën e Tetovës se ka bërë marrëveshje në katër sy me një kompani në lidhje me uniformat e nxënësve të cilat duhet t’i paguajnë prindërit. Një uniformë kushton 800 denarë, ndërsa pagesën duhet ta bëjnë prindërit.

“Dy muajt e fundit ushtrohet një presion i madh ndaj prindërve dhe mësimdhënësve për pranimin pakusht të një lloji të uniformave, për të cilat vendimi është sjell pa i konsultuar prindërit edhe pse barra financiare bie mbi vet ata. Në cilin ekstrakt të Qeverisë thirret komuna për çështjen e uniformave?Kush nga komuna ka bërë marrëveshje në 4 sy për uniformat e 15.000 nxënësve duke anashkaluar prindërit që paguajnë? Cila është kompania dhe si është përzgjedhur? Si është caktuar çmimi prej 800 denarë kur në treg një punim i tillë gjendet me çmim shumë më të lirë.”- deklaroi Agron Arifi – Aktivist.

Nga komuna e Tetovës i hedhin poshtë akuzat. Thonë se vendimi i qeverisë vetëm është përcjell në këshillat e shkollave.

“Ne vetëm e kemi përcjell ekstraktin e qeverisë, ku në atë ekstrakt në mënyrë decide edhe taksative thuhet që këshillat e shkollave duhet të mbajnë mbledhje dhe të vendosin për uniformat dhe këtu drejtorët e shkollave e kanë përcjell këtë ekstrakt të qeverisë deri tek këshillat e shkollave dhe këshillat e shkollave kanë qenë ata që kanë vendosur që nxënësit të furnizohen me uniforma. Nuk është e vërtetë që nga ana komunës ka pasur marrëveshje në katër sy që nxënësit të pajisen me uniforma por, shkollat vetë në mënyrë të pavarur kanë bërë porositjen e të njëjtave.”- tha Nazmi Dauti, Sektori Komunal i Arsimit.

Nga “Lista më mirë për Tetovën” thonë se ata kanë informata edhe për kompaninë që bën qepjen e uniformave. Ata kërcënojnë se nëse komuna e Tetovës vazhdon me avazin e njëjtë, do të publikojnë edhe emrin e kompanisë që sipas tyre komuna ka bërë marrëveshje në katër sy. Në disa komuna te Maqedonisë komunat vetë i sigurojnë uniformat, ndërsa në disa i paguajnë vetë prindërit.