Dështoi përpjekja për bojkot të zgjedhjeve presidenciale. Me këto fjalë VMRO-DPMNE publikisht e akuzoi koalicionin Fronti europian i udhëhequr nga BDI, se ka pasur thirrje të hapur deri te elektorati që ta mos e marrin fletëvotimin për kandidatin për president. Madje edhe kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski tha se dalja ishte më e ulët në komunat e Maqedonisë perëndimore. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski dje akuzoi se një pjesë e kryesisë së BDI-së publikisht ka thirrur që të mos votohet për zgjedhjet presidenciale.
“Treguam se bojkotin e organizuar nga BDI, ne si komb e mundëm, se përpjekja për destabilizimin e shtetit, që BDI u përpoq që ta imponojë, dështoi. Zv/kryeministri në largim, i cili është simbol i asaj pafytyrësie politike në 7 vitet e fundit, publikoi një video, për të treguar se voton vetëm për zgjedhjet parlamentare por jo edhe për zgjedhjet presidenciale”, tha Mucunski.
Në Studion e hapur dje në TV21 edhe koalicioni VLEN e akuzoi BDI-në për bojkot.
“Pa dyshim se kishte bojkot. Vlerësimi ynë si VLEN është se kishte bojkot nga BDI për zgjedhjet presidenciale. Po ashtu informacionet tona janë se kishte bojkot edhe nga Levica, pra ndoshta kemi një sinkronizim të rastësishëm”, tha Bexheti.
Ilir Hasani nga Fronti europian, tha se ata i kanë thirrur qytetarët të votojnë sipas bindjes së tyre, për Pendarovskin si kandidat me qasje pozitive pro-europiane ndaj shqiptarëve dhe të tjerët, ose për Siljanovskën e cila deri në momentin e fundit kishte retorikë kundër shqiptare, ose të mos votojnë aspak.
“BDI, tani me Frontin europian, nuk luajti lojëra, ne kemi vepruar publikisht dhe e treguam publikisht orientacionin tonë për votën e lirë të qytetarëve, sepse mendojmë se votuesit tanë janë të vetëdijshëm, sidomos në 2024, nëse do të votojnë për Siljanovskën, për pendarovskin ose nuk do të votojnë aspak”, tha Hasani.
Censusi për zgjedhjet presidenciale megjithatë u arrit, dolën 46,38% të numrit të përgjithshëm të qytetarëve.
