“Më than shko ankohu ku të duash, fëmija nuk guxon të hyjë në shkollë, unë personalisht nuk do ta lejoj”, tha Engyl Azizov, babai Alejnës.
Për shkak të mbulimit të kokës me shami, Alejnës, nxënëse nga Shkolla fillore “Malina Popivanova” të Koçanit, iu mohua e drejta për të ndjek mësimin. Kështu është shprehur prindi i vajzës, Engyl Azizov, i cili po ashtu thotë se Alejna është ofenduar nga kujdestarja, e cila i ka thënë se shaminë mundet ta vendos vetëm në Xhami. Këshilltarja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa në një intervistë për REL, thotë se mënyra e veshjes është e drejtë e çdo personi, siç është edhe e drejta për arsimim.
“Unë ka kohë që jam bërë imunë ndaj këtyre gjërave dhe nuk lejoj që të bëhet diskriminim mbi diçka që nuk paraqet pengesë në qasjen e realizimit të të drejtave, përfshirë edhe për vajzën që e përmendët, qasja në të drejtën e arsimimit. E drejta për arsimim është e drejtë e çdo fëmijë gjithashtu e drejta për të punuar është e drejtë kushtetuese. E mënyra e veshjes, duke respektuar sigurisht në mënyrë të denjë, është e drejtë e çdo qytetari”, tha Vaska Bajramovska-Mustafa, këshilltare e Avokatit të Popullit.
Bajramovska shpreh shqetësim për diskriminimin që u bëhet grave me mbulesa dhe personave që janë veshur ndryshe. Shton se duhet të respektohet e drejta e zgjedhjes së gjithsecilit, pasi që jemi shoqëri multietnike dhe multireligjioze.
“Nuk duhet të ketë, por për fat të keq kemi ende steriotipe, paragjykime dhe diskriminim në të menduarit, që shumë shpesh vihet në pah, personalisht po them, në mënyrën e komunikimit, nuk shohin se si dhe sa shumë mund të ndihmojë një person që është veshur pak më ndryshe, ose që ka shami, por shohin në atë se përse ka vendosur shami. Këtë ne nuk duhet ta lejojmë si shoqëri, marrë parasysh se po luftojmë kundër diskriminimit, themi se jemi shoqëri multietnike, multikulturore, multireligjioze etj. Duhet të respektojmë të drejtën e zgjedhjes të gjithësecilit”, shtoi Bajramovska.
Nga shkolla kanë mohuar se e kanë të ndaluar vendosjen e shamisë, ndëtkaq ditë më parë Alejna është rikthye në mësim me intervenim të Ministrisë së Arsimit. Përndryshe këshilltarja e avokatit të popullit si shkelje e të drejtave të nxënësve numëroi edhe mungesën e teksteve shkollore.
