Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut do të prezantohet të mërkurën nga eurokomisari për zgjerim Johanes Han, para Komitetit të Politikës në Parlamentin Evropian. Sipas, ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare Shpëtim Latifit, zgjedhjet e PE-së nuk do të ndikojnë në raportin e Komisionit Evropian i cili do të publikohet të mërkurën.
“Sa i përket raportit për Maqedoninë i cili pritet të publikohet shumë shpejt mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim shumë të madh rezultati i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, por patjetër që do të ketë ndikim në periudhën e ardhshme, në vitet e ardhshme kur veç Maqedonia t’i ketë nisur negociatat për aderim në BE”, theksoi Shpëtim Latifi, ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Shtetet të cilat i kanë dhënë mbështetje Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojnë t’i japin edhe në të ardhmen, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
“Po t’i analizojmë rezultatet sipas shteteve, ato të cilat kanë qenë kontestuese në raport me integrimet e Maqedonisë, shtetet të cilët kanë paraqit potencial për pengimin e euro integrimeve për Maqedonisë prapë mbeten të tilla. Ne kemi tani ndryshim në Francë. Partia e Marian Le Penit ka shumicën e deputetëve në Parlamentin Evropian që mund të jetë një shkallë e vështirësimit të rrugës së euro integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE .Po ashtu ndryshime kemi në Greqi, ndryshim apo fitim të madh të kësaj rrymë anti integruese është edhe në Itali po edhe në shtetet tjera. Po ashtu në Britaninë e Madhe është fituese partia “Bregzit””, potencoi eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shpëtim Latifi.
Në Parlamentin Evropian për herë të parë do të ketë edhe një deputete me origjinë shqiptare. Arba Kokalari e cila garoi në emër të Partisë së Moderuar të Suedisë. Kjo parti fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë gjithsej katër euro-deputetë. Gjatë fushatës Kokalari premtoi të jetë një zë i fortë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me këtë moto, ajo kërkoi votën e shqiptarëve që jetojnë në Suedi. Një mandat deputeti fitoi edhe djathtistja nga Sllovenia Irena Joveva. Ajo ka prejardhje nga Maqedonia ndërsa është rritur në Nova Gorenjska të Sllovenisë. Gjatë periudhës së kaluar ajo e ka mbështetur ndryshimin e emrit të shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Përgatiti: Valmira Zendeli
