Shtatë muaj e gjysmë nga fillimi i epidemisë me Covid-19 në vendin tonë. Në vijën e parë të frontit në betejën me këtë virus është personeli mjekësor. Kjo “luftë” si duket e ka lodhur në aspekt fizik dhe psikik stafin mjekësor. Përderisa vendi ynë po përgatitet për valën e dytë të virusit, vetëm javën e kaluar tre infermiere dorëzuan dorëheqje nga Spitali Infektiv i Shkupit. A nënkupton kjo se covid-qendrat, por edhe spitalet tjera mund të ngelen pa personel mjekësor. Infektologu Fadil Cana nuk përjashton një mundësi të tillë.
“Vallë a mundet këtë periudhë të flitet për mundësinë e mbetjes së Klinikës për sëmundje infektive pa kuadër shëndetësor dhe ajo mund të konsiderohet si diçka e mundshme. Mendoj që është pjesë e asaj për të cilën duhet të kujdeset Ministria e Shëndetësisë”, deklaroi Fadil Cana – Infektolog.
Për të motivuar kuadrin shëndetësor, Qeveria vendosi që në qershor dhe korrik t’i shpërblej me bonuse, me rritje prej 20% të rrogave. Por edhe kjo masë nuk është e mjaftueshme sipas kryetares së Shoqatës së infermierëve.
“Masat që janë afatshkurtër… Ne jemi në kontinuitet në pandemi, me muaj dhe nuk e dimë edhe sa do të jemi dhe ne duhet të vijmë në ndonjë situatë, me një stimulim të vazhdueshëm të personelit. Në aspekt se sa jemi të kënaqur, sipas informatave të anëtarëve tanë nëpër spitale. Janë bërë lista, që ne nuk kemi informacione mbi çfarë kriteresh se kush duhet të marrë dhe kush nuk duhet të shpërblehet, janë bërë individualisht nëpër spitale dhe kanë ndodhur shumë parregullsi dhe ka pasur shumë pakënaqësi te personeli shëndetësor, konkretisht tek infermieret. Ose nuk i kanë marrë, ose nuk kanë marrë sa duhet etj”, tha Gordana Beshliovksa – Kryetare e Shoqatës së Infermiereve.
Ankesa për punë të lodhshme ka edhe nëpër Qendrat e shëndetit publik, ku ka numër të vogël të epidemiologëve.
“Të them të drejtën edhe ne jemi lodhur nuk është së nuk jemi lodhur, mezi kemi bërë disa ditë pushim, për shkak se nuk kishte të punojë dhe kishim raste në rritje sidomos javën e fundit dhe puna jonë me të vërtetë është shumë me rëndësi dhe tani numrat se si do shkojnë dhe se si do të jetë situata me sezonin e gripit nuk mund ta parashikojmë prej tash, ne tash vetëm kemi hyrë në vjeshtë dhe presim numra më të lartë”, potencoi Lulzime Bajrami – Epidemiologe.
Përndryshe në RMV ka 85 infektolog dhe jo të gjithë janë të inkuadruar në luftën me pandeminë e Covid-19. Ndërkaq në vend ka rreth 7.500 infermiere, ndërsa sipas shoqatës së infermiereve në 2 milion banorë duhet të ketë 15 mijë infermiere. Kjo nënkupton që edhe në kushte të zakonshme ka 50% deficit të infermiereve. Shumica e tyre po përgatiten për të ikur në vendet evropiane sapo të hapen kufijtë, thonë nga e njëjta shoqatë. Për shkak të situatës së rënduar mjekët kërkojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe t’i ndihmojnë që bashkërisht ta kalojën pandeminë.
