U rritën çmimet e energjisë elektrike dhe produkteve ushqimore, ndërsa pensionet vazhdojnë të mbeten të njëjta. Për këtë pensionistët ankohen sepse siç thonë disa prej tyre, gjysma e pensionit u shkon për barëra dhe gjysma tjetër për faturat e energjisë elektrike.
Por sa sipas tyre pensioni duhet të rritet?
“Po patjetër, më së paku 30 %”, tha një pensionist.
“Më e vogla duhet të jetë 30 mijë denarë. Unë jam pensionist 10 mijë denarë marr, 5000 paguaj faturat edhe atë duke kursyer energjinë, ujin dhe gjithçka, televizorin, telefonin. Të rriten 100%, jo vetëm fjalë por vërtet të rriten”, tha një pensionist.
“Jam pensionist, duhet të rriten, shiheni nuk di a do të mund ta ndjek standardin. Unë nuk e di mirëpo megjithatë njerëzit sërish jetojnë, ja shihni sa vetura por lëvizin, shkoni nëpër lokale është përplot hahet, pihet, ndërsa po ankohemi se di”, tha një pensionist.
Për rritjen e pensioneve foli sot kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, për momentin po punohet në analiza që më pas duhen të prezantohen.
“Ne tashmë jemi duke punuar në një metodologji që do të mundësojë rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë të pensioneve sepse pensionistët janë ata që meritojnë pasi kanë dhënë mund dhe kanë dhënë zhvillim të madh në vendin tonë të jenë të shpërblyer “, tha kryeministri Dimirat Kovaçevski.
I menjëhershëm ishte reagimi i partisë Opozitare VMRO-DPMNE nga ku thonë se kryeministri duhet të jetë me popullin dhe jo kundër popullit, duke kërkuar që deputetët e LSDM-së të mbështesin rritjen e pensioneve.
“Kovaçevski të mos ikë dhe deputetët e tij të mbështesin rritjen e pensioneve dhe ai të jetë me popullin në vend që të jetë kundër popullit. Presim që deputetët e LSDM-së të mbështesin rritjen e pensioneve të propozuar nga VMRO-DPMNE”, thon; nga VMRO-DPMNE.
Ditë më parë u bë rritja e pagës minimale në 18.000 denarë. Nga Qeveria thonë se është miratuar edhe metodologji e re që garanton rritje të vazhdueshme të minimales në raport me rritjen e produktivitetit të punës. Njësoj, paga minimale do të harmonizohet me rritjen e pagave dhe me rritjen e pagës minimale.
