Gjykata Evropiane në Strasburg ka hapur procedurë për ankesën e Jankuloskës lidhur me blerjen e Mercedesit të blinduar prej 600 mijë eurosh. Gjykata do të vlerësojë nëse ka baza serioze që i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë. Lajmin e publikoi vetë Jankuloska në rrjetet sociale. Ajo shkroi se edhe pse kanë kaluar pesë vite nga ankesa dhe ajo ka vuajtur një dënim të rëndë e të padrejtë, ky hap për të përbën një “satisfaksion të vogël personal”.
“Ndoshta më në fund ata me 2% besim do ta kuptojnë se nuk duhet t’i shërbejnë interesave të askujt, sepse qytetarët i paguajnë për t’i mbrojtur, jo për t’ua shkelur të drejtat. Zonja që sot është në shtyllën e turpit, e që u shpërblye me funksion të lartë për veprat e saj nga pushteti i mëparshëm, është dëshmi se petku i gjyqtarit nuk është mburojë ndaj kritikës publike. Shpresoj që më në fund të ketë përgjegjësi për të gjitha të këqijat, por edhe nëse jo, jam e bindur se askush nuk i shpëton gjykimit të historisë”, tha Gordana Jankuloska, ish-ministre e Brendshme.
Një nga pikat kyçe që i intereson Gjykatës është përdorimi i përgjimeve si prova nga Prokuroria. Gjithashtu, gjykata do të shqyrtojë rolin e gjyqtares Dobrila Kacarska – nëse deklaratat e saj publike të mëparshme mund të kenë krijuar përshtypjen e paragjykimit në rastin e Jankuloskës.
Kryeministri Mickoski me reagim të ashpër. Ai thotë se vendi duhet të skuqet nga turpi para Strasburgut për shkak të atyre pak personave që, sipas tij, e kontaminojnë gjyqësorin dhe Prokurorinë.
“Këta janë gjyqtarët për të cilët paga është e vogël dhe duan dyfish apo trefish më shumë. Të imponuar nga qeveria e mëparshme, të kapur. Janë të paktë, po e përsëris. Shikoni kush e ka udhëhequr rastin ‘Tanku’ dhe shihni ku është ai gjyqtar sot. Dhe nuk ndalet – tani po i sulmon pensionistët për rritjen lineare të pensioneve. Do t’ua marrë këtë të drejtë”, pohoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Jankuloska ishte dënuar me katër vite burg në rastin “Tanku”, të hapur nga Prokuroria Speciale. Gjykata e shpalli fajtore për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve. Sipas aktakuzës, ajo kishte ndihmuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski që me paratë e policisë, përmes një tenderi të manipuluar, të blinte një Mercedes prej 600 mijë eurosh për përdorim personal, larg syve të mediave dhe qytetarëve.
Ish-ministrja u lirua nga burgu në nëntor 2023, një vit para përfundimit të dënimit.
