A ka keqpërdorime në importin e qymyrit? Importohet nga Greqia, deklarohet si nga Kosova?!

TË FUNDIT

A po bëhen keqpërdorime me importin e qymyrit për TEC Osllomej? Sipas informacioneve jozyrtare të TV21, kompania që ka marrëveshje për të furnizuar me qymyr TEC Osllomej, qymyrin e merr nga Greqia, por e deklaron si nga Kosova, kjo për shkak se është variant më i lirë.

Pyetëm në disa institucione kompetente, por morëm përgjigje të cilat nuk përputhen.
Kur pyetëm drejtorin e përgjithshëm të “Elektranava të Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçeski, na tha se ky informacion nuk është i saktë, e më pas kishte vërejtje për mënyrën se si punojmë, gjegjësisht që pyetjen është dashur ta dërgojmë nëpërmjet postes elektronik dhe jo në konferencë për media.

“Ky informacion nuk është i saktë dhe më vjen keq që në këtë mënyrë bëhet pyetja në konferencë për media, ka mundur mediumi të parashtronte pyetje deri te kompania jonë dhe do të merrte përgjigje të sakta dhe precize”.

Megjithatë, TV21 ka dërguar pyetje deri te EMV edhe nëpërmjet formës së shkruar. Sipas përgjigjes thuhet se TEC Osllomej shfrytëzon qymyr një pjesë nga gërmimet e veta dhe një pjesë e blen. Kompanitë që furnizojnë me qymyr nga jashtë shtetit e marrin qymyrin nga Kosova dhe Greqia.

Edhe sot në konferencën për media, Kovaçevski tha se qymyri është importuar nga Greqia, ndërsa nga Serbia nuk ka import.

“Sa i përket furnizimit me qymyr për TEC Osllomej ne aktualisht kemi dy marrëveshje. Një marrëveshje me kompani që furnizon me qymyr dhe e importon një pjesë nga Greqia dhe një pjesë nga kapacitet vendore që është miniera në Berovë me sasi të përgjithshme 130.000 ton. Nuk ka informacione të tilla se qymyri importohet nga Greqia ndërsa deklarohet si nga Kosova. Këtë e them me shumë përgjegjësi, mund ta vërtetojnë edhe institucionet kompetente, ndërsa qymyr nga Serbia nuk importohet”.

Por, sipas të dhënave të Drejtorisë së doganave, përveç se nga Kosova, qymyr importohet edhe nga Serbia. Nga Drejtoria e Doganave shtojnë se në periudhën prej muajit mars 2021 deri në muajin shkurt 2022, qymyr nuk është importuar nga Greqia, përveç se nga Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë.