A janë zgjedhjet të patjetërsueshme? Partitë do të vendosin të martën në takimin e liderëve!

TË FUNDIT

Është e patjetërsueshme mbajtja sa më e shpejtë e zgjedhjeve parlamentare për shkak të paralajmërimeve për valë të re të koronavirusit, deklaroi kryeministri, Oliver Spasovski. Ai shtoi se të martën kur do të mbahet takimi i liderëve do të vendoset se kur do të shpallen zgjedhjet.

“Nuk e di a është qershori kohë ideale për mbajtjen e zgjedhjeve. Mendoj se për shkak të paralajmërimeve se është e mundur të kthehet kjo krizë edhe një herë në shtator. Mendoj se është e patjetërsueshme që të mbahen sa është e mundur më shpejt zgjedhjet parlamentare duke pasur parasysh se shtetit i nevojiten institucione funksionale që mund të sjellin vendime për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve”, deklaroi Spasovski.

 Edhe pse partitë theksojnë se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm për ta, disa prej tyre insistojnë për mbajtjen e zgjedhjeve ndërsa pjesa tjetër vlerësojnë se nuk është koha për zgjedhje. Nga VMRO-DPMNE disa herë kanë deklaruar se nuk mendojnë për zgjedhje dhe se prioritet është shëndeti i qytetarëve.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme kur kemi pandeminë e KOVID-19 dhe kur çdo ditë numërojmë të infektuar dhe viktima, kur po përballemi me krizë ekonomike, sanitare, arsimore, si dhe në përgjithësi kur kemi gjendje krize, nuk është një nga prioritetet. Së pari të luftojmë për shëndetin e qytetarëve, ta kthejmë ekonominë në rrugën e duhur, e më pas mund të mendojmë për zgjedhje”, ka deklaruar Mickovski.

 Nga BDI thonë se çdoherë janë të gatshëm për zgjedhje.

“Ne porositëm anketë si parti politike, që të shohim se cili është vullneti i qytetarëve, për shkak se kemi dilema a të pranojmë zgjedhje të shpejta. Nëse nesër shpallet fitore në luftën me Kovid-19, qytetarët do të ndjehen të lirë që të jenë pjesë e zgjedhjeve. Atëherë le të ketë zgjedhje në maj, qershor, korrik. Ne jemi të gatshëm, për shkak se ishim të gatshëm edhe për maj edhe për prill”, ka deklaruar Grubi.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, pohon se nuk ekziston asnjëfarë mundësie që zgjedhjet të mbahen në qershor. Ai theksoi se pa marrë parasysh dëshirat e partive politike, sipas Kodit zgjedhor për organizim të zgjedhjeve duhet të ketë hapësirë prej më së paku 50 ditëve, pasi që ata të shpallen. Qëndrimi i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, i cili duhet të shpallë zgjedhjet, është se afatet zgjedhore duhet të vazhdohen aty ku kanë ngelur për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme me epideminë.