A i rritën tregtarët çmimet para festave?! Durmishi: Nëse ka pasur sjellje devijuese, do të njoftojmë si do të veprojmë

TË FUNDIT

Qeveria javën e ardhshme do të shqyrtojë nëse tregtarët i kanë rritur çmimet e ushqimeve para festave. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, thotë se nëse ka pasur sjellje devijuese nga tregtarët, do të vendosin se si do të veprojnë. Qeveria vendosi të mos ketë shporta konsumatore festive dhe as kufizim të marzhave si vitet e kaluara, pasi efekti ka qenë vetëm sa zgjasnin shportat, e më pas çmimet rriteshin.

 “Do t’i marrim të dhënat nga këto ditë, pra ditët e fundit të muajit dhjetor dhe ja edhe nga ditët e para të muajit janar dhe do të njoftoheni si ju ashtu edhe opinioni publik në lidhje me këtë, përkatësisht nëse ka sjellje devijuese nga tregtarët apo rritje të çmimeve. Do të njoftoheni se si do të veprojmë më tej nëse është ashtu siç thoni ju. Për këtë do të njoftoheni javën e ardhshme”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës.

Qytetarët, ndërkaq, para festave reaguan se çmimet po rriten dhe po shkojnë deri në tavan.

 A janë shtrenjtuar produktet?

-Disa janë rritur, ka edhe aksione dhe më të lira…

-Çmimet janë të kripura, edhe më të kripura, çfarë të bëjmë me ato para.

Durmishi një javë më parë tha se të dhënat tregonin se çmimet nuk ishin rritur.

 “Ne, kur ka pasur sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, kemi miratuar masa që ishin zgjidhje afatshkurtra. Kështu që, diçka e tillë deri tani, ja edhe para dy ditësh dhe sot jam në kontakt me drejtorin e Inspektoratit të Tregut, deri tani nuk kemi informacione se ka diçka të tillë apo sjellje devijuese apo rritje të çmimeve, konkretisht për ato produkte që përdoren më shumë gjatë festave”, shoi tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës.

Edhe pse shpresa më e madhe për stabilizimin e çmimeve vitin e kaluar shihej te Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili duhej t’i sanksiononte kartelët dhe marrëveshjet për çmimet, Qeveria tani paralajmëron se me ndryshime ligjore do t’i rrisë dhjetëfish gjobat, veçanërisht për marketet e mëdha dhe tregtarët. Kjo vjen pas reagimeve në opinion se gjobat prej nga 50.000 euro që KMK ua shqiptoi 4 marketeve për bashkim në kartel dhe marrëveshje për çmimet ishin shumë të ulëta.

 “Vitit të ardhshëm shpresojmë se do të ketë ndryshime të caktuara, veçanërisht në politikën ndëshkuese të ligjit.”– Rritje e gjobave? Po, rritje dhjetëfish e gjobave, veçanërisht për marketet e mëdha. Në vend që të kemi gjobë prej 20.000 eurosh, të shkojë mbi 100.000 euro, madje të jetë edhe 200.000 euro gjobë. Megjithatë, kjo duhet përsëri të diskutohet nga të gjithë dhe të dakordohet në një nivel që do të nënkuptojë edhe mbrojtje të standardit të qytetarëve nga këto manipulime, bashkime në kartel”, u shpreh Marjan Risetski, zëvendësministër I Ekonomisë Dhe Punës.

Të mërkurën, Enti i Statistikave pritet t’i publikojë të dhënat për inflacionin e dhjetorit. Për muajin nëntor ai ishte 4%. Te shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike në nëntor ishte shënuar një rritje prej 5,4% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Inflacioni vjetor gjithashtu sillet rreth 4%. Megjithatë, Qeveria projektoi që në vitin 2026 ai të bjerë dhe vitin ta përfundojmë me inflacion prej 2,5%.