A i kërkoi falje Gruevski Xhaferit? Kabineti i kryeparlamentarit: Kryetari s’komenton deklaratat që jepen nëpër emisione

TË FUNDIT

Për këtë situatë të tensionuar në Kuvend, ish-kryeministri Nikolla Gruevski i ka kërkuar falje kryeparlamentarit Talat Xhaferi. E këtë e ka bërë nëpërmjet personit që ia ka sjell Xhaferit USB-në e dërguar nga Gruevski. Kështu të paktën tha në Click Plus, pohoi kryetari i VMRO-DPMNE-së Hrisitijan Micksoski.

 “Personi që ka dorëzuar USB-në, përcjell kërkim-falje deri tek Talat Xhaferi nga ana e Nikolla Gruevskit që e spërkati me ujë, ndërsa ky i ka thënë se nuk ka asnjë problem, nuk më ka spërkatur me acid, por me ujë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sipas Mickoskit, Xhaferi do ta demantojë këtë, por shton se e gjithë kjo po bëhet që me patjetër të kalojnë ndryshimet kushtetuese. 

“E gjitha kjo bëhet për të vetmin qëllim, që në mënyrë të përforcuar të pranohet diktati bullgar dhe të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për pohimet e Mickoskit pyetëm edhe në kabinetin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, por nga atje na thanë se kryetari i Kuvendit nuk komenton deklaratat që jepen nëpër emisione, ndërsa shtojnë se kryeparlamentari mbetet në deklaratën që e ka dhënë disa ditë më parë, ku hedh poshtë pohimet se ka marrë dokumente dhe USB nga ish-kryeministri Gruevski, që siç pretendohet ka përmbajtur ndryshimet e Kodit Penal.

 “Nuk ka asnjëfarë të vërtete se kryetari i Kuvendit nga ish-kryeministri ka marrë ndonjë shkresë apo ndonjë material. Kjo është e pavërtetë e cila vetëm shërben për politikë ditore. Më pas nuk dua të përdor fjalë joadekuate që meriton institucioni i tillë, por po e lë në ndërgjegjen e atyre që spekulojnë me opinionin”, theksoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit (26.09.2023 ).

Mickoski dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandër Nikollovski kanë deklaruar se Gruevski i ka dhënë USB Ahmetit dhe Xhaferit me materiale për Kodin Penal.