A e ka seriozisht Mickoski këtë herë? Thotë se i ka 61 vota dhe mund ta shpërbëjë Kuvendin

TË FUNDIT

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se ka 61 vota deputetësh për të votuar për rrëzim të Qeverisë. Deklaron se për këtë ka marrë sinjale nga disa deputetë të shumicës parlamentare, për të cilët thotë se nuk janë të kënaqur nga puna ministrave të kësaj Qeverie.

“Jemi të inkurajuar që ka deputet nga koalicioni që është në Qeverinë e BDI-së të mbështetur nga LSDM, që dërgojnë sinjale të qarta dhe duan sa më shpejti t’i jepet fund kësaj qeverie të korruptuar dhe kriminele të koalicionit të BDI-së i mbështetur nga LSDM. Janë të përgatitur që në Kuvend të mbështesin shpërbërjen e Kuvendit dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski nuk deshi të tregojë emrat e deputetëve që janë të gatshëm të votojnë mosbesimin e Qeverisë, për shkak se siç thotë është e mundshme të bëhet presion mbi ta. Ndërsa si data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare përmendi 14-21 majin e 2023-tës.
“Për arsye objektive, ju lus që të më kuptoni nuk mund të flas për më shumë detaje duke pasur parasysh faktin se kemi tërësisht prokurori krejtësisht të “bdi-zuar”, dhe gjyqësor të “lsdm-izuar” të cilët së bashku me organet e ndjekjes do të bëjnë presion mbi ata njerëz”- pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM thonë se deklaratat e Mickoskit janë gënjeshtra që nuk mund të ju besohet. Për zgjedhjet parlamentare janë decid, thonë se do të mbahen në vitin 2024.
“Mickoski po e mbyll vitin ashtu siç e nisi. Edhe në janar të këtij viti e dëgjuam të njëjtën gjë, doli të ishte gënjeshtër. Thjesht, pas gjithë gënjeshtrave në vitin 2022, Mickoskit nuk mund t’i besohet. Zgjedhjet do të jenë në vitin 2024.”- thonë nga LSDM.
Tentim për rrëzim të Qeverisë, VMRO-DPMNE kishte edhe në nëntor të vitit 2021, por dështoi për shkak se pikërisht në ditën e votimit nuk u paraqit deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, tanimë deputet i pavarur në Kuvend.
Aktualisht pakënaqësi ndaj ekzekutivit në mënyre publike kanë shprehur deputetët e Grupit të Zjarrit, Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku, ndërsa pranë tyre ka qëndruar edhe Kastriot Rexhepi. Ndërkohë edhe Skender Rexhepi-Zejdi ka kohë që nuk është pjesë e Alternativës.