A e ka derën e hapur ASH për në Qeveri? Alternativa nuk e ka problem, BDI nuk paragjykon

TË FUNDIT

Ka disa javë që përflitet për inkuadrimin e mundshëm të Aleancës për Shqiptarët në qeveri, megjithatë ende pa asnjë ofertë konkrete ndaj kësaj partie. Ushtruesi i detyrës kryetar i ASh-së, Arben Taravari, mbrëmë në “Click plus” edhe një herë përsëriti qëndrimin se deri te ASh nuk ka arritur një ofertë e tillë.

 “Ofertë diçka nuk ka pasur, e kam thënë këtë para 2, 3 javësh dhe vazhdon të jetë ashtu. Ndërsa sikur të ketë,  unë kam thënë se do ta shqyrtojmë dhe ashtu e mendoj se në qoftë se ka ofertë për hyrje në Qeveri, unë mendoj se nuk duhet të jetë ekskluzivitet i një njeriu që vendos a duhet apo s’duhet. Në qoftë se më pyetni mua personalisht, kam dilemat e mija të cilat nuk mendoj sonte t’i shprehi këtu sepse është punë shumë serioze të cilën duhet ta trajtojnë organet partiake”, deklaroi Arben Taravari, u.d. kryetar i ASH-së.

Pyetëm partnerët e koalicionit qeverisës, nëse do ta mirëprisnin Aleancën për Shqiptarët në kabinetin qeveritar. Nga BDI me përgjigje:

“Rrethanat politike siç janë ndryshimet kushtetuese, fillimi i bisedimeve me BE dhe obligimet e mëdha qe dalin nga këto bisedime në drejtim të reformës së madhe që imponohet, kriza energjetike dhe ekonomike realisht imponojnë bashkërenditje sa më te madhe ndërmjet forcave politike, por a do rezulton kjo në ndonjë bashkëpunim konkret edhe formal dhe institucional do duhet natyrisht te diskutohet ne gjitha nivelet dhe nuk mund të paragjykoj në këtë moment”, thonë nga BDI.

Pyetëm edhe partinë Alternativa. Ata nuk e kanë problem. Thonë se ASh mund të luajë rol të rëndësishëm në fuqizimin e kësaj qeverie dhe të agjendës proeuropiane të vendit.

“Ne nuk besojmë se Aleanca për Shqiptarët ka dëshirë të hyjë në qeveri, kjo për arsye se ata e kanë quajtur me nota perversiteti inkuadrimin e Alternativës në qeveri, por nëse e kanë tejkaluar këtë dhe kanë dëshirë ta ndihmojnë këtë qeveri proeuropiane, ne – ashtu siç kemi thënë gjithmonë – mund të jemi vetëm aleatë dhe bashkëpunëtorë”, pohojnë nga Alternativa.

Edhe mandatari Dimitar Kovaçevski i pyetur në “Click plus” se a është e mundur që Aleanca për Shqiptarët të hyjë në koalicion, Kovaçevski tha se nuk kanë diskutuar konkretisht për një gjë të tillë.

 “Nuk kemi folur konkretisht për diçka të tillë, megjithatë çdo mbështetje e cila është mbështetje e rrugës europiane të vendit, mbështetëse për sjelljen e masave për ballafaqim me krizën energjetike dhe ekonomike dhe me përballje e të gjitha këtyre sfidave me të cilat po përballet vendi, e konsideroj si mbështetje që duhet diskutuar dhe që duhet biseduar dhe që duhet përshëndetur”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri Kovaçevski vazhdimisht përsërit qëndrimin se shumica parlamentare dhe qeveria janë stabile.