Trafikimi me qenie njerëzore për qëllime të prostitucionit edhe pse është relativisht e re në Kosovë, po merr përmasa shqetësuese dhe alarmante ndërkohë që nuk mungojnë as përpjekjet e organeve përgjegjëse të sigurisë për ta luftuar dhe parandaluar atë. Njohës të fushave të ndryshme konsiderojnë se do të ishte më mirë që prostitucioni të legalizohet si në shumë vende demokratike.
Nëse i referohemi statistikave nga Policia e Kosovës rezulton se që nga janari e deri në mars të këtij viti ka pasur gjithsej 29 raste të evidentuara për vepra të tilla penale, ndërsa janë arrestuar 57 persona. Shqetësues është edhe fakti se viktimat e identifikuara janë kryesisht të moshës së re, ku gjashtë prej tyre janë nga 14-17 vjeçe dhe një tjetër nga 18- 22 vjeçe, ndërsa pesë nga to janë kosovare, një shqiptare dhe një serbe.
“Mund të them që drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore me njësitet e saj në kuadër të drejtorive rajonale ka realizuar disa operacione dhe mund të them në përgjithësi ka hetuar apo ka ngritur kallëzime penale vetëm për periudhën kohore janar- mars 29 raste, raste këto që lidhen kryesisht me trafikim me njerëz, mundësim apo detyrim në prostitucion, marrje me prostitucion apo fshehje e dokumenteve të viktimave e që kryesisht ndërlidhen me rastin e trafikimit me njerëz në këtë rast ushtrimit të veprimtarisë së prostitucionit”, theksoi Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai ka bërë me dije se përveç hetimeve të realizuara, Policia e Kosovës ka një bashkëpunim të mirë me qytetarët të cilët japin informacione për ushtrimin e veprimtarisë në rajone apo zona të caktuara dhe falë këtij bashkëpunimi kanë arritur që në disa lokacione të zbulojnë vende.
Ndërkaq, avokati Nikë Shala thotë se ka disa femra që vijnë nga vende të ndryshme si nga Rumania, Bullgaria, Shqipëria por edhe të tilla nga Kosova që janë të punësuara në lokale të natës si kameriere por që veprimtarinë e ushtrojnë të prostitucionit dhe për shërbimet seksuale që ofrojnë personave të ndryshëm marrin edhe pagesa të ndryshme. “Vet fakti se në qytetet demokratike në shumtën e rasteve kjo dukuri d.m.th prostitucioni është i legalizuar. Mendoj se edhe te ne duhet të legalizohet sepse me legalizimin e prostitucionit evitohet sëmundja për fat të keq e shekullit Sida sepse ato femra të cilat ofrojnë shërbime seksuale janë nën kontrollin mjekësor, janë nën mbikëqyrje institucionale dhe klientët nuk mund të luajnë me fatin e tyre qoftë me maltretime apo në forma të ndryshme”, shtoi ai.
Sociologu Shaip Hasani ka thënë se çështja e prostitucionit si dukuri dhe fenomen sot në Kosovë por edhe si proces i gjithmbarshëm nëpër shoqëritë njerëzore është i pandalshëm, por sipas tij, tek ne prostitucioni është bërë një dukuri e pafrenueshme pasi shoqëria kosovare po përballet me problematikën e varfërisë, ku një pjesë shumë e madhe individësh dhe femra të reja si dhe kategori tjera i shtyn drejt kësaj dukurie shëmtuese. Edhe Hasani mendon se do të ishte mirë që të legalizohej edhe të ne prostitucioni, pasi siç tha të gjitha proceset të shkojnë mënyrë të legalizuar dhe kontrolluar.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se prostitucioni si krim trans nacional është paraqitur në Kosovë qysh viteve të pas luftës pasi zakonisht kjo ndodh në vendet post konfliktuoze sikurse ka qenë rasti i Kosovës. Ai thotë se në kohën e UNMIK-ut, shumë pak është luftuar prostitucioni. Ibishi thotë se disa shtete tashmë e kanë legalizuar prostitucionin siç është rasti i Hungarisë dhe lejohet me ligjet pozitive atje dhe për këtë arsye edhe trajtimi mjekësor është legal dhe kjo është shumë e rëndësishme. / 21 MEDIA
