A do t’u kthehen paratë qytetarëve për pasaportat? Mërgimtarët me dokumente të vjetra duhet ta kontaktojnë MPJ-në

TË FUNDIT

Një numër i madh qytetarësh do të mbeten pa pasaporta, për shkak se afati për ndryshimin e dokumenteve të udhëtimit skadon për thuajse një javë. Edhe pse presin me këmbëngulje para sporteleve, sërish vështirë arrijnë të dorëzojnë kërkesë për dokumente të tjera, ndërsa ata që kanë arritur ta bëjnë këtë, sërish duhet të presin me muaj të tërë për t’i marrë. Revolta e qytetarëve shtohet edhe më shumë për shkak se pasaportat i kanë nxjerrë para dy vjetëve, kur u miratua Marrëveshja, por asokohe MPB-ja nuk jepte dokumente udhëtimi me emrin e ri, prandaj, tani sërish duhet të paguajnë. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mendon se këtyre qytetarëve duhet t’u kthehen paratë që i kanë dhënë për nxjerrjen e dokumenteve të reja.

“Jam i kënaqur që kryeministri i ri menjëherë në seancën e parë formoi një grup pune i cili do të merret me gjetjen e zgjidhjeve. Zgjidhje këto të cilat…. janë zhvilluar disa skenarë nga mundësia që shteti t’i kompensojë ata që kanë pasaportë të vlefshme, e për shkak të Marrëveshjes duhet t’i ndryshojnë, deri në mundësinë e riorganizimit të shërbimeve”, tha Bujar Osmani, MPJ.

Greqia tashmë i ka informuar të gjitha vendet se pasaporta me emrin – Republika e Maqedonisë nga 12 shkurti do të jetë e pavlefshme. Por, çfarë do të ndodhë me njerëzit që pas 12 shkurtit do të jenë jashtë vendit me pasaporta të vjetra? Osmani, thotë se ata do të duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadave.

“Ata duhet të jenë në komunikim me përfaqësitë diplomatike-konsullore, ka numër telefoni që funksionon 24 orë në MPJ, një ekip kujdestar në Ministri që i pranon ato telefonata. Le të paraqiten në atë numër, ne do t’i orientojmë dhe tregojmë çfarë duhet të bëjnë”, pohoi Bujar Osmani, MPJ.

Opozitarja VMRO-DPMNE vazhdimisht dilte me kritika për kaosin me pasaportat. Mile Lefkov nga kjo parti e drejtoi gishtin kah ish-ministri Oliver Spasovski si fajtor për këtë gjendje.  

“Ai është lëshuesi i dokumenteve në të cilat thotë, ja në patentën time shoferi thotë – lëshues Ministria e Punëve të Brendshme. Ma kanë lëshuar në vitin 2020 dhe shkruan se vlen deri në 2030-tën. Ai vetë e ka shkruar datën e vlefshmërisë, në momentin e lëshimit ai vallë nuk i ka ditur këto obligime ligjore? I ka ditur. Patenta ime është nxjerrë në vitin 2020, dhe vetë lëshuesi ka shkruar se është e vlefshme deri në vitin 2030 dhe tani ju keni fytyrë…?”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Përveç pasaportave, nga 12 shkurti qytetarët duhet t’i ndërrojnë edhe letërnjoftimet dhe patentat shoferi, ndërsa sipas Marrëveshjes së Prespës në targat në vend të MK duhet të vendoset ngjitëse me NMK, e cila, siç njoftuan dje nga Ministria e Brendshme, do të jetë falas dhe pronarët e veturave do të duhet t’i marrin nga pikat e kontrollit teknik.