Ndryshimet kushtetuese që edhe më tej qëndrojnë peng si shpata e Demokleut mbi procesin euro-integrues të vendit, siç duket përveç VMRO-DPMNE që publikisht u prononcuan se do të votojnë kundër, nuk i mbështesin edhe një përqindje e lartë e qytetarëve. Këtë e tregoi hulumtimi i fundit i Institutit për demokraci dhe Fondacionit Konrad Adenauer, ku një përqindje e lartë e të anketuarve janë shprehur kundër vendosjes së bullgarëve në Kushtetutë. Si do të përballet Qeveria me këtë tani për tani ende nuk ka plan konkret, me vetë faktin që afati i fundit për votimin e ndryshimeve kushtetuese është në më pak se 8 muaj, ndërsa debati i paralajmëruar publik deri më tani nuk ka filluar.
“Ndryshimet kushtetuese nuk shtyhen por votohen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duhet të ndërtojmë konsensus të gjerë shoqëror, nacional dhe politik sepse këto çështje janë për të ardhmen e shtetit. Për shkak se, do të kthehem përsëri tek anketa, qytetarët tanë dëshirojnë të jetojnë sipas standardeve europiane, meritojnë të jetojnë sipas standardeve europiane, ndërsa kjo bëhet në një vend anëtarë të BE-së”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Por konsensus të gjerë politik për këtë çështje nuk ka. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se me hulumtimin e fundit tregohet se ndryshimet kushtetuese nuk janë prioritet për qytetarët. Në lidhje me paralajmërimet se të gjithë faktorët politikë do të thirren të jenë pjesë e konsultimeve, Mickoski tha se nuk do të pranojë që të jetë pjesë e këtij procesi.
“Nëse i pyesni qytetarët se cilat janë prioritetet e tyre, ata do të numërojnë të paktën 15 prioritete të tjera dhe nëse nuk i rikujtoni për ndryshimet kushtetuese, askush as nuk do t’i përmend ato, për shkak se nuk janë prioritet, as nuk janë problem, për shkak se në sytë e qytetarëve kjo nuk ekziston. Qytetarët janë të qartë, po, duan të ecin në rrugën europiane siç ecnin të gjithë qytetarët europianë. Po, duan rrugë të tillë europiane, pa çështje dhe kushte dypalëshe, pa ultimatume”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Në anketën që e zbatuan Instituti për demokraci dhe Fondacioni Konrad Adenauer 80% të maqedonasve përkatësisht 65% të numrit të përgjithshëm të të anketuarve janë kundër kushtit që bullgarët të futen në Kushtetutë. Njëkohësisht 59% të simpatizuesve të LSDM-së u shprehën kundër futjes së bullgarëve në Kushtetutë, ndërsa nga mbështetësit e opozitares VMRO-DPMNE 89% janë kundër këtij kushti.
