A do të shkarkohet Dimitrovska? Gashi: Aktualisht s’ka mundësi ligjore! Mickoski: Duhet të vendosë gjykata

TË FUNDIT

Nuk ka bazë ligjore për të nisur procedurë në Kuvend për shkarkimin e kryetares së Komisionit Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska, ndaj së cilës është ngritur aktakuzë për zbardhje të sekretit zyrtar. Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sipas të cilit procedura duhet të zhvillohet në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, por për këtë nevojitet një vendim gjyqësor.

“Duhet të ketë vendim gjyqësor të formës së prerë. Procedura është e përcaktuar në Rregullore dhe vendos Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime. Nëse nis ndonjë procedurë, ajo duhet të vijë nga ky Komision, dhe çfarëdo që të vendosë ky organ, unë do ta procedoj në seancë plenare. Por ligji është i qartë – nuk bëhet fjalë për aktakuzë, por për vendim gjyqësor të formës së prerë. Kushtet ligjore nuk janë plotësuar. Sa i përket reputacionit dhe etikës – a mund të udhëheqë një institucion dikush me aktakuzë – kjo është çështje morale dhe etike”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Kryeministri Mickoski mendon se nëse një funksionar ka gabuar, duhet të tërhiqet vetë, por nëse ka përgjegjësi penale, për këtë duhet të përgjigjet në gjykatë.

“Ka përgjegjësi morale – nëse dikush ndjen përgjegjësi, duhet të tërhiqet. Për përgjegjësi penale – janë prokuroria dhe gjykatat që duhet të veprojnë. Nuk kemi ndërmend të bëjmë shfaqje në Parlament – nuk ka kuptim dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën”. Theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në opinion pati shumë reagime për aktakuzën për zbardhje të sekretit zyrtar, por edhe për informacionet se provimin për certifikatën e sigurisë nuk e ka dhënë vetë Dimitrovska, por një koleg nga Enti Shtetëror i Revizionit. Për këtë arsye, u kërkua që Kuvendi të nisë menjëherë procedurë për shkarkimin e saj.

Nga Komisioni Antikorrupsion kanë reaguar me një komunikatë, duke thënë se Kuvendi është kompetent për vendimin për shkarkim, ndërsa dorëheqja si akt moral është në dorën e vetë Dimitrovskës.

 “Dorëheqja si akt moral është vendim personal i kryetares. Meqë në këtë rast bëhet fjalë për përgjegjësi individuale, Komisioni vazhdon të punojë dhe të përmbushë kompetencat e tij sipas Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit”, thonë nga Antikorrupsioni.

Për kryetaren Tatjana Dimitrovska është ngritur aktakuzë se ka zbuluar sekrete zyrtare ndaj një të akuzuari në rastin “Aditiv”, si dhe për faktin që certifikatën e sigurisë e ka marrë pasi provimin në vend të saj e ka dhënë një revizor, dhe jo ajo vetë.