A do të shfuqizohet Qeveria e Përzhinës? Osmani: Mundet për zgjedhjet e ardhshme, tash do të ketë Qeveri teknike

TË FUNDIT

Mickoskit nuk i intereson ndryshimi i Qeverisë së Përzhinës, por qëllimi i vetëm është që të mos ketë kryeministër shqiptar 100 ditë para zgjedhjeve, theksoi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, pasi që VMRO-DPMNE-ja doli me qëndrim për ndryshimin e Ligjit për Qeveri, me qëllim që të mos ketë mundësi që të kemi kryeministër nga radhët e BDI-së në Qeverinë teknike. Osmani thotë se nuk ka hapësirë për diçka të tillë në këto zgjedhje, njëherit edhe për shkak të marrëveshjes me partnerin e koalicionit LSDM-në.

“Lideri i opozitës, Qeverinë e Përzhinës e imponoi si temë në funksion të kryeministrit shqiptar. D.m.th. së pari duhet të ndahen ato dy tema. Nën një, nuk ka hapësirë, për shkak se nuk ka as arsye sepse dy partnerët e koalicionit janë dakorduar për këtë. Por për Qeverinë e Përzhinës nuk ka hapësirë për këto zgjedhje. Për zgjedhjet tjera mund të flasim, tha Bujar Osmani”, nënkryeatr i BDI-së.

Nga LSDM me qëndrim identik për këtë çështje.

“100 ditë para zgjedhjeve në vitin 2024 në Maqedoni do të ketë Qeveri teknike, siç parasheh edhe Ligji për Qeveri. LSDM viteve të kaluara ka krijuar ambient dhe u mbajtën zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe mund të bisedohet për shfuqizimin e Qeverisë teknike por në ciklet e ardhshme zgjedhore, për shkak se nevojitet edhe konsensus politik nga të gjithë partitë politike”, u shpreh Darko Kaevski nga LSDM.

Nga VMRO-DPMNE sot përsëri kërkuan shfuqizim të Qeverisë teknike vetëm që të mos ketë kryeministër nga radhët e BDI-së.

“VMRO-DPMNE do të heq dorë menjëherë nga Qeveria teknike, nëse partia kriminele e BDI-së nuk ka kryeministër teknik, ndërsa LSD ka guxim që t’i thotë BDI-së mjaft më. Do ishte turp për shtetin, parti si puna e BDI-së, ku krimi me LSD-në është përditshmëri, të ketë kryeministër teknik. Andaj VMRO-DPMNE është e gatshme që menjëherë të heq dorë nga Qeveria teknike nëse BDI heq dorë nga kryeministri teknik”, deklaruan nga VMRO-DPMNE.

Pritet që në fillim të muajit të ardhshëm të caktohet takimi i partive ku saktë do të definohet data e zgjedhjeve, pas çka do të duhet që të caktohet edhe data e saktë kur do të zgjidhet Qeveria e Përzhinës.