A do të rrezikohet regjistrimi në shtator? Interesim i ulët për regjistrues në terren

TË FUNDIT

Për të tretën herë më radhë do të vazhdohet konkursi i Entit Shtetëror për Statistika për regjistrues dhe instruktorë rajonal. Zëvendësdrejtori i Statistikave, Ilmi Selami, thotë se mungesa e regjistruesve mund të përbëjë rrezik për procesin, por siguron se gjithçka do të jetë gati për regjistrimin që duhet të fillojë më 5 shtator.

 “Teorikisht mund të themi se mund ta rrezikojë, sepse nuk mund të bëni regjistrim pa njerëz në terren. Regjistrimi është punë praktike e cila me njerëz konkret bëhet në terren. Mirëpo tani për tani nuk mund të flasim për shtyrje të regjistrimit shkaku i kësaj pune, sepse ne flasim për mungesën e regjistruesve, pra për një numër të caktuar që ka mbetur për t’u plotësuar”, tha Ilmi Selami – zv/drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Enti Shtetëror për Statistika kërkon 5555 regjistrues, ndërsa deri tani janë paraqitur rreth 4300. Selami thotë se edhe me këta, mund ta kryejnë regjistrimin në terren, por në bazë të planit që kanë bërë duhen diku edhe rreth 600-700 regjistrues, që puna të kryhet me efikasitet. Regjistruesit do të punojnë 25 ditë, ndërsa paga është e mirë pohon ai.

 “Kompensimi është solid, e përmenda njëherë dhe po e përsëris edhe njëherë, është mbi 500 euro dhe aq sa do të punojnë. Mund të arrijnë edhe 600 euro. Pra varësisht nga puna e tyre që do ta bëjnë në terren, aq edhe do të kompensohen. Zakonisht studentët kanë gjithnjë mungesë dhe nevojë për financa dhe ja një rast i mirë, për ta është një punë shumë e lehtë për ta bërë”, u shpreh zv/drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Ilmi Selami.

Selami në mënyrë konkrete shpjegoi edhe punën e regjistruesit në terren.

 “Regjistruesit do të trajnohen nga ana e Entit Shtetëror për Statistika. Pra do të merr laptopin, do të futet në shtëpinë e atyre që duhet të regjistrohen, ua merr të dhënat të cilat veç më gjenden në laptop, plotësohen me përgjigjet që do t’i japin dhe me kaq mbaron gjithçka”, shtoi Selami.

Nga Enti për Statistika thonë se shkaku i pushimeve verore, kohë në të cilën u shpall konkursi dhe shkaku i pandemisë në përgjithësi, ka ndikuar që mos të paraqiten numër i mjaftueshëm i regjistruesve. Zëvendësdrejtori tregon se mungesë të interesimit ka tek të gjitha bashkësitë etnike në vend. Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave do të mbahet nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021.