A do të rikthehen masat shtrënguese? Filipçe thotë jo, por nuk e përjashton mundësinë

TË FUNDIT

Është java e tretë që në Maqedoninë e Veriut numri i të infektuarve çdo 24 orë është mbi 100 të infektuar me virusin korona. Për momentin numri total i rasteve aktive është 2469 të infektuar.

I pyetur se cili opsion po mendohet për ulje të numrit të të infektuarve dhe nëse Qeveria po mendon rikthim të masave shtrënguese, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse e ka diskutuar këtë, ndërsa shtoi se vala e re e të infektuarve filloi kur vendi ende i kishte në fuqi masat shtrënguese por të njëjtat nuk respektoheshin. Tha se tani për tani nuk po mendohet rikthimi i masave restriktive, edhe pse një mundësi të tillë nuk e përjashtoi.

“Tani për tani nuk vjen parasysh sjellja sërish e restriksioneve por nuk mund ta përjashtoj mundësinë, abolutisht. Epidemiologët konsiderojnë se me këtë qasje intensive të analizës së kontakteve, testimeve dhe vendosjen në izolim, në periudhën e ardhshme do të arrihet rezultat. Tani vatra është në Shkup dhe diçka më pak në Tetovë. Dihen klasterët, dihen kontaktet me klasterët, veçanërisht këto ditët e fundit, andaj tani për tani vazhdojmë me këtë mënyrë të punës” tha Filipçe./TV21