A do të ketë ngrohje nëpër shkolla?/ Kryetarët paralajmërojnë: Situata është më se alarmante!

TË FUNDIT

Para fillimit të sezonit të ngrohjes, kryetarët e shumë komunave të vendit në të gjitha mënyrat e mundshme po tentojnë të sigurojnë ngrohje nëpër shkolla për muajt e dimrit. Për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, por edhe shtrenjtimit shtesë të paralajmëruar, komunat janë në panik – se si do të sigurojnë klasa të ngrohta? Kryetari i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, thotë se ngrohja në shkollat ​​dhe çerdhet e komunës së tij ende është e pasigurt sepse nuk ka kompani që do t’i furnizojë me energji elektrike. Zgjidhja e vetme, thotë ai, është të kthehen në EVN Home, ku furnizimi i rrymës do të jetë i garantuar.

“Me përgjegjësi të plotë pohoj se askush nuk është gati, sepse sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike dhe çmimi i energjisë termike është një e panjohur e madhe. Nuk shoh lëvizje nga institucionet kompetente për zgjidhjen e këtij problemi. Komuna e Karposhit për herë të dytë shpall tender publik për furnizues të energjisë elektrike dhe për herë të dytë nuk paraqitet askush sepse ata që do të na furnizonin nuk janë të sigurt, sepse shkaku i çmimeve tejet të larta të energjisë elektrike mund të vijë deri te mospagesa e faturave.”- deklaroi Stevçe Jakimovski, Kryetar i Komunës së Karposhit.

 Si rezultat i krizës së paralajmëruar energjetike, por edhe gjendjes së keqe financiare, shkaku i bllok-granteve të ulëta, një pjesë e madhe e komunave në vend po mendojnë opsionin për ngrohje me dru. Shumë prej tyre thonë se kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.

“Po përgatitemi, jemi duke punuar sipas një plani të përcaktuar dhe kemi vështirësi serioze. Sigurisht se presim mbështetje edhe nga institucionet qendrore dhe besoj se së bashku do të arrijmë të sigurojmë kushte që fëmijët të kenë një proces normal edukativo-arsimor. Në komunën e Bosillovës pothuajse 80% e shkollave ngrohen me dru, ndërsa disa të tjera përdorin naftë dhe peletë.”- tha Risto Mançev, Kryetar i Komunës së Bosillovës.

Ne planifikojmë të ngrohemi me dru dhe tashmë shpallëm tender për blerjen e drurit për ngrohje dhe riorientim të kaldajave tona, ato që ishin me naftë, tani t’i bëjmë të ngrohin me dru. Duke marrë parasysh çmimin e drurit, ne kemi mjete të mjaftueshme për të siguruar dru. Po të qëndronim si deri në vitin e kaluar me naftën, do të kishim problem serioz.”- tha Goran Stojanovski, Kryetar i Komunës Çashkë

Edhe përkundër të gjitha problemeve dhe situatës së pasigurt për ngrohjen e shkollave, për kryetarët mësimi online nuk është opsion. Ata thonë se nxënësit kanë pësuar mjaft dëme gjatë pandemisë së koronavirusit dhe porosisin se Ministria e Arsimit duhet të mendojë për zgjatjen e pushimit dimëror për të paktën një muaj.