Flamujt përpara qeverisë u lëshuan në gjysmështizë.
Kryeministri Zoran Zaev thirri një seancë të jashtëzakonshme.
Mbledhja nisi me një minutë heshtje, për viktimat që humbën jetën tragjikisht në zjarrin e mbrëmshëm.
U shpallën tre ditë zie, ndërsa për të hetuar rastin Qeveria do të pranojë ndihmën e disa aleatëve në NATO për të dërguar ekspertë të nivelit më të lartë për hetimet e zjarreve që të ndihmojnë në përcaktimin e shkaqeve të zjarrit në qendrën modulare Kovid në Tetovë.
Në këtë seancë e cila zgjati dy orë, nuk u diskutua për mbajtje përgjegjësie ose dorëheqje. Gjë për të cilën po reagojnë dhe kërkojnë vazhdimisht qytetarët.
Asnjë nga ministrat ose krerët shtetërorë nuk paralajmërojnë dorëheqje.
Si zëvendëskryeministri i partë Artan Grubi poashtu edhe zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani thonë se nuk është koha për dorëheqje por për menaxhim të kësaj sfide.
“Nuk është koha për dorëheqje, është koha kur ne duhet të ballafaqohemi me sfidat. Organet e hetuesisë dhe organet e prokurorisë janë të gjitha të aktivizuara dhe po presim raportet oficiale nga ta”, tha Hasani.
Nga opozitarja shqiptare Aleanca për Shqiptarët thonë se do të bëjnë gjithçka për të zbardhur rastin.
“Nuk do të lejojmë që të fshihen pisllëqet siç i kanë fshehur deri tani, do të bëjmë çmos nëpërmjet parlamentit, që të ketë një hetim të mirëfillt dhe të ketë përgjegjësi”, u shpreh Sela.
Edhe nga opozitarja “Alternativa” kërkojnë dorëheqjen të parevokueshme nga organet kompetente, duke shtuar se “ndonëse këto humbje nuk kthehen, ndëshkimi i fajtorëve, adresimi i përgjegjësisë dhe dorëheqjet janë lehtësim për shoqërinë”.
Ka reaguar edhe VMRO-DPMNE në lidhje me situatën, nga ku thonë se kanë kaluar më shumë se 16 orë dhe qeveria po hesht dhe nuk jep asnjë informacion për tragjedinë në Tetovë. Apelojnë deri tek Filipçe dhe Zaevi që të ndajnë informatat që kanë me qytetarët.
“Duhet të ketë përgjegjësi funksionale dhe morale, populli pret dorëheqje të parevokueshme nga Filipçe dhe Zaev, dorëheqje ngaqë qytetarët nuk besojnë në institucionet të udhëhequra nga kjo qeveri. Të dy do të jenë edhe pengesë objektive për hetim transparent dhe neutral, të cilin duhet ta ketë”, tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE-ja.
Përndryshe janë anuluar të gjitha ngjarjet nga agjenda e krerëve shtetërore, ministrave por edhe ngjarjet dhe aktivitetet e institucioneve tjera.
