Shumicë e re parlamentare ose zgjedhje të parakohshme parlamentare? Nga opozita paralajmërojnë epilog pas deponimit të dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev në Kuvend.
Gjendja është shumë serioze në shtet dhe ne do të përpiqemi të bëjmë shumicë të re parlamentare duke i pasur parasysh të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet shteti dhe qytetarët e shtetit tonë. Por, nëse nuk kemi sukses në përpjekjet tona, më mirë do të ishte të ketë zgjedhje të reja parlamentare, për shkak se kjo qeveri, kjo shumicë e humbi legjitimitetin politik ndërsa populli e dorëzoi faturën që duhej ta dorëzonte”, tha Micevski.
Pas dorëheqjes, kryetari i kuvendit duhet ta njoftojë presidentin e shtetit i cili duhet ta japë mandatin për formim të Qeverisë.
“Kur të jetë i njoftuar për dorëheqjen e dorëzuar, presidenti, në suazë të afatit kushtetues prej 10 ditëve do të bëjë konsultime dhe do ta japë mandatin për formim të Qeverisë, partisë ose partive që e kanë shumicën në Kuvend”, thanë nga Kabineti i Pendarovskit.
Prej atje shtojnë se presidenti për veprimet e tij do të udhëhiqet sipas interpretimit kushtetues të normës kushtetuese në praktikë gjatë 3 dekadave të fundit.
Në takimin e mëngjesit, koordinatorët e grupeve të deputetëve me Talat Xhaferin, kanë konstatuar se sa deputetë aktualë do të largohen nga Kuvendi për shkak se janë bërë kryetarë komunash, si dhe për ardhjen e deputetëve të rinj. Kryetarë janë bërë 4 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe nga një prej LSDM-së dhe Besës.
Koalicioni qeveritar “Mundemi” ka 46 deputetë. BDI-ja ka 15, PDSH-ja 1. Nga 46 deputetët e koalicionit, 30 janë anëtarë të LSDM-së, 4 të Besës, nga 2 të PRSD-së dhe PLD-së, një deputet është i pavarur dhe nga një deputet janë nga partia PRD-së, Lidhja dedmokratike, VMRO-PK, Partia e pensionistëve, Pala serbe në Maqedoni dhe Partia për lëvizje të turkeve dhe Partia demokratike e turkeve. PLD-ja e cila ka dy deputetë dhe PRD-ja me një deputet, vendosën që të dalin vetë në këto zgjedhje lokale.
