A do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni? Naser Zyberi: Po, nëse Ali Ahmeti më propozon

TË FUNDIT

Naser Zyberi në zgjedhjet e 2020-shit ishte kandidat i BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, por meqë kryeministri shqiptar pritet të jetë në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie, Zyberi u zgjodh Avokat i Popullit. Po a ka shanse që kur të vijë koha për të vendosur një shqiptar në krye të Qeverisë, ai të jetë Naser Zyberi? I ftuar në “Click Plus”, Zyberi u shpreh i gatshëm ta marrë këtë detyrë nëse Ahmeti e propozon për kryeministër.

-Logjikisht duhet të jeni ju?

-Disi.

-Do ta ndërprisni punën si Avokat i Popullit?

-Kuptohet që po nëse është ashtu.

-Do të zgjidhet avokat tjetër i popullit?

-Po do të zgjidhet tjetër.

-A do ta kishin ndryshuar punën si Avokat i Popullit për atë muaj dy për t’u bërë kryeministër?

-Unë ende nuk kam vendosur, në bisedën e fundit me kryetarin Ahmeti jemi marrë vesh që kur të vijë periudha për këtë mandat, të ulemi dhe të bisedojmë, të shohim se çfarë është më e mira për qytetarët.

E nëse Zyberit i jepej shans që të jetë kryeministri i parë shqiptar për tre muaj, hapat e parë që do të ndërmerrte për ndryshim do të ishte kthimi i besimit të qytetarëve.

“Të kthehet besimi i qytetarëve se institucionet funksionojnë në bazë të rregullores, që për momentin një perceptim i tillë nuk funksionon, ndërsa ky perceptim nuk është i rastësishëm sigurisht por vjen si produkt i funksionimit të sektorit publik dhe para së gjithash administrate”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Nga ana tjetër Zyberi si Avokat i Popullit nuk la pa përmendur gjendjen e mjerueshme nëpër burgjet e Maqedonisë së Veriut, për të cilat tha se nuk i plotësojnë as kriteret minimale për vuajtjen e dënimit me dinjitet si dhe risocializimin dhe integrimin e atyre personave.